Bashkimi Evropian kërkon nga Shqipëria rritjen e kapaciteteve dhe koordinim mes institucioneve për të menaxhuar migracionin dhe azilin në vend.

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, gjatë prezantimit të projektit “EU 4 Migration” tha se forcimi i kapaciteteve është i nevojshëm pasi emigracioni është sfidë e përbashkët me vendet evropiane.

“Ky projekt do t’i ndihmojë institucionet shqiptare të rrisin kapacitetet e tyre për të menaxhuar migracionin dhe azilin në një mënyrë efektive, transparente dhe, dua të theksoj, humane. Duke forcuar qeverisjen e migracionit, kontribuojmë jo vetëm në menaxhimin më të mirë të flukseve migratore, por edhe në ruajtjen e dinjitetit dhe të drejtave të atyre që kërkojnë mbrojtje. Dua të nënvizoj përpjekjen e vazhdueshme të Shqipërisë për të kontribuar në zbatimin e përbashkët të Planit të Ri të Veprimit për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në adresimin e menaxhimit kufitar, kontrabandës së migrantëve, mbështetjes për kthimet dhe forcimin e sistemit të azilit.”

Shqipëria, ndërkohë, ka hartuar dhe strategjinë kombëtare për migracionin 2024–2030 që synon menaxhim më të lartë të kufijve, sistemeve të azilit dhe zgjidhjeve të qëndrueshme të migracionit.

Me një buxhet prej 10 milionë eurosh të siguruar nga BE-ja, kjo nismë katërvjeçare synon të mbështesë Shqipërinë në forcimin e sistemeve të saj të menaxhimit të migracionit dhe azilit, në përputhje me standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare.

Projekti “EU 4 Migration” do të mbështesë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe përafrimin me acquis të BE-së, duke kontribuar drejtpërdrejt në reformat për Kapitullin 24 – Drejtësi, Liri dhe Siguri./ klan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu