
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka bërë të ditur se është arrestuar 21-vjeçari A. N., i dyshuar si autori i plagosjes me armë atipike të një 15-vjeçari, ngjarje që ndodhi më 1 qershor në një piceri në zonën e “Ali Demit”.
Sipas Policisë, i riu e plagosi adoleshentin pas një konflikti për motive të dobëta. Kapja e tij u bë e mundur falë kontrolleve të pandërprera dhe informacionit të siguruar në rrugë operative nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin Nr. 1.
shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në rrugën “Riza Çuka” Laprakë, kanë gjetur dhe sekuestruar armën atipike me të cilën shtetasi A. N, 21 vjeç, dyshohet se plagosi 15-vjeçarin.
Ndërkohë, janë arrestuar edhe tre punonjës të picerisë, pasi dyshohet se kanë ndërhyrë në vendin e ngjarjes duke pastruar gjurmët dhe duke hequr pajisjen DVR të kamerave të sigurisë. Policia është në kërkim të administratorit të lokalit, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar në fshehjen e provave.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa ndaj 21-vjeçarit rëndojnë akuzat për “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.