
Revista prestigjioze amerikane Forbes ka bërë një klasifikim të pesë qyteteve evropiane bregdetare, ku mund të blihet pasuri e paluajtshme me vlerë nën 100 mijë dollarë. Mes tyre renditet edhe qyteti bregdetar i Vlorës.
“Çmimet e pronave në Amerikën e Veriut vazhdojnë të rriten, ndërsa pjesë të Evropës po ofrojnë në heshtje shtëpi të jetueshme dhe të dashura për nën 100 mijë dollarë. Imagjinoni të zotëroni një shtëpi komode prej guri në Itali, një arratisje buzë detit në Rivierën Shqiptare, ose një apartament plotë diell në Spanjë, secila me kosto më të ulët”, shkruan Forbes.
Një mundësi shumë e mirë për të blerë një apartament për pushime, me kosto të përballueshme, por që të ofron bukuri dhe kulturë, është Vlora.
Në artikullin e Forbes shkruhet se Shqipëria ka qenë prej kohësh një arratisje popullore nga plazhi me kosto të ulët për pushuesit evropianë. Por tashmë po shfaqet në radarët e udhëtarëve amerikanë, ndoshta pjesërisht për shkak të vëmendjes që Ivanka Trump dhe Jared Kushner po i sjellin këtij kombi ballkanik.
Ata kanë pushuar në Shqipëri vitet e fundit dhe aktualisht po zhvillojnë një hotel luksoz prej 1.4 miliardë dollarësh në ishullin e Sazanit në Vlorë.
Sipas Forbes, “Shqipërisë krenohet me një kryeqytet të gjallë, peizazhe të thyer malore dhe një vijë bregdetare mahnitëse përgjatë detit Adriatik dhe Jon të Mesdheut. Një nga destinacionet më të njohura është Vlora, një qytet bregdetar përgjatë Rivierës Shqiptare me histori të pasur dhe plazhe të mrekullueshme, ku mund blini pronë për 77 mijë apo 90 mijë dollarë”.
Më tej, Forbes renditet si mundësi për të blerë pasuri të paluajtshme edhe në Abruzzo të Italisë, Olvera, Spanjë, Selaniku në Greqi apo Burgas në Bullgari./ Klan News