
Ministri i Shtetit, Taulant Balla, ka ndarë në rrjete sociale një përditësim të rëndësishëm nga shifrat e Ministrisë së Turizmit, ku evidenton një rritje të ndjeshme të fluksit të vizitorëve të huaj në Shqipëri. Vetëm gjatë muajit prill, vendin tonë e vizituan 820 mijë turistë të huaj, duke e çuar totalin e hyrjeve për katërmujorin e parë të vitit 2025 në plot 2.45 milionë vizitorë.
Sipas Ballës, kjo rritje është tregues i një stabiliteti të fituar në sektorin e turizmit, i cili jo vetëm që vazhdon të përparojë, por edhe e konsolidon Shqipërinë si një destinacion të qëndrueshëm në hartën europiane. “Shqipëria është surpriza më emocionuese e destinacioneve europiane”, thekson ai në postimin e tij.
Ky zhvillim vjen në vazhdën e një fushate të gjerë që Balla si drejtues politik i PS ka ndërmarrë së fundmi në diasporë, ku ka promovuar potencialin turistik të vendit përmes takimeve me komunitetin shqiptar jashtë dhe me investitorë të interesuar për sektorin e mikpritjes.
Me moton #VisitAlbania dhe #AlbaniaAllSenses, qeveria shqiptare synon jo vetëm të rrisë numrin e vizitorëve, por edhe të thellojë përvojën e tyre turistike në çdo cep të vendit.