Adelaide, 23 maj 2025 – Një ngjarje e pazakontë ka tronditur komunitetin shqiptar në Australi, pas publikimit të një lajmi ku përmendet emri i humoristit të njohur Elvis Pupa në lidhje me një pronë në Adelaide ku janë gjetur bimë kanabisi. Lajmi u shpërnda gjerësisht në rrjete sociale dhe media online, duke ngjallur reagime të forta dhe spekulime.

Por shumë shpejt ka ardhur një përgënjeshtrim i qartë nga bashkëshortja e Pupës, e cila ka reaguar për Dritare TV:

“Përshëndetje Dritare TV. Bëhet fjalë për një pronë të dhënë me qira por që është me emrin tim. Gjyqi po mbahet për pasqyrimin e fakteve. Nuk mund të them asgjë më shumë, derisa çështja të mbyllet, për arsye hetimesh në radhë të parë por edhe për të qenë e qartë për të gjithë në fund, në radhë të dytë. Ju falënderoj që më pyetët përpara se të shpërndanit një lajm të përçudnuar!”, shkruan znj. Pupa.

Ndërkohë, ky rast ka nxitur edhe më tej diskutimet për një dukuri që, sipas vetë shqiptarëve që jetojnë në Adelaide, është bërë e zakonshme: dhënia e pronave me qira për kultivimin e kanabisit, shpesh përmes kontratave të dyshimta.

“Po kështu e bëjnë, bëjnë kontrata false që kur t’i kapin, thonë ‘e kisha dhënë me qira’”, shkruan një qytetar shqiptar që jeton në këtë zonë. Ai shton se shumë shqiptarë janë përfshirë në këtë lloj aktiviteti, që ndonëse në disa raste tolerohet në kuadër të legjislacionit për përdorim personal, shpesh kalon në shifra të mëdha.

Sipas të njëjtit burim, një shtëpi me 43 bimë mund të sjellë deri në 80 mijë dollarë fitim për vetëm tre muaj – një shifër që e shpjegon jetesën luksoze të disave prej të përfshirëve.

Rasti i Elvis Pupës dhe përfshirja e tij indirekte në këtë histori – si pronar i një pasurie të dhënë me qira – ka bërë që opinioni publik të kërkojë më shumë kujdes dhe përgjegjësi nga mediat, por edhe një reflektim të brendshëm në komunitetin shqiptar përballë një fenomeni që mund të dëmtojë imazhin e përbashkët në diasporë.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu