Në përkujtim të 35-vjetorit të ngjarjeve të 2 Prillit 1991 në Shkodër, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka nderuar katër martirët e kësaj dite, duke e cilësuar revoltën si një reagim ndaj farsës elektorale dhe sakrificën e tyre si themel të votës së lirë në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmir Kryeziu dhe Besnik Ceka mbeten simbole të qëndresës dhe të luftës për liri, duke theksuar se ata sakrifikuan jetën për vlera themelore demokratike.

Ai rikujtoi se protesta e nisur nga gjimnazistët e Shkodrës, vetëm dy ditë pas zgjedhjeve të vitit 1991, ishte ndër më paqësoret, por u përball me dhunë të armatosur, ku mbi protestuesit u qëllua me armë zjarri.

Sipas Berishës, kjo ngjarje pati jehonë ndërkombëtare dhe u kthye në një kauzë të mbështetur nga institucionet më të rëndësishme si Kongresi Amerikan, Parlamenti Europian dhe Këshilli i Europës.

Kreu i PD-së theksoi se, edhe pas 35 vitesh, plagët e familjarëve mbeten të hapura, por sakrifica e martirëve shërben si frymëzim për mbrojtjen e votës së lirë dhe demokracisë.

Në vijim, Berisha akuzoi qeverinë aktuale, duke e cilësuar situatën politike si një rikthim të farsës elektorale dhe duke theksuar se misioni kryesor i Partisë Demokratike mbetet garantimi i votës së lirë për qytetarët shqiptarë.

Ai u shpreh se Shkodra do të luajë një rol kyç në këtë proces, duke e konsideruar atë si simbol të qëndresës dhe ndryshimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu