
Personi në foto është 29-vjeçari Ermir Dedja, i cili u vra në një atentat me armë zjarri në Durrës, pak pas mesnatës së të hënës (20 maj).
Mësohet se i riu sapo kishte zbritur nga automjeti i tij kur autorët, ende të paidentifikuar, i zunë pritë dhe e qëlluan me breshëri kallashnikovi.
29-vjeçari ishte me origjinë nga Shijaku, por jetonte në Durrës. Ai kishte jetuar kohët e fundit në Gjermani, ku dyshohet se ishte i përfshirë në veprimtari kriminale.
Dinamika
Mësohet se ai fillimisht mbeti i plagosur dhe kanë qenë banorët e zonës në vendin e ngjarjes, të cilët e transportuan në spital, por për shkak të plagëve të marrë ai ndërroi jetë.
Po ashtu mësohet se plumbat e kallashnikovit kanë prekur edhe qendrën shëndetësore, që ndodhej pranë vendit të ngjarjes.
Policia ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të ndodhur në zonë për të hedhur dritë mbi identifikimin dhe më pas kapjen e autorëve.
I riu, me origjinë nga Shijaku dyshohet se ditën e djeshme ka pasur konflikte me disa persona, të cilët i zunë pritë në lagjen ku ai banonte.
Po ashtu raportohet se ai gjatë ditës ka qenë në mbikëqyrje, duke ndjekur çdo lëvizje të tij.
View this post on Instagram
Ermir Dedja nuk është një emër i panjohur për policinë pasi në 2015 është arrestuar, sepse i shiti drogë një grupi personash të cilët do e kalonin nga Morina drejt Kosovës.
Në vitin 2017, mësohet se Ermir Dedja ka qenë i përfshirë në një plagosje me armë zjarri në vitin 2017, i cili në atë kohë u vu në pranga si bashkëpunëtor në plagosje.
Ende nuk ka detaje të hollësishme në lidhje me krimin, ndërsa policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe së bashku me grupin hetimor po punojnë për të hedhur dritë mbi ekezekutimin.
Një banor i zonës tha jashtë kamerave se në fillim kur dëgjoi të shtënat mendoi se ishin fishekzjarre.
“Pashë nga dritarja këtë personin të shtrirë në tokë dhe kuptova që kjo ishte vrasje. Sipas asaj që munda të konstatoj nga dritarja e banesës time, munda të kuptoj që ishte qëlluar në zonën e shpatullave. Pak më vonë erdhi policia dhe pas tyre një autoambulancë që e mori trupin”, tha një banor
Njoftimi i policisë Durrës
“Më datë 20.05.2025, në orën 00:50, në lagjen nr. 18 Durrës, është qëlluar me armë zjarri shtetasi E. D., 29 vjeç, i cili ka humbur jetën në spital.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe po vijojnë kontrollet për kapjen e autorit/ve.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, njofton policia./bold