Në një takim me gratë dhe vajzat socialiste të Vlorës, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u ndal te lajmi që ka tronditur opinionin publik: pagesa prej 6 milionë eurosh për të lobuar në përpjekje për të hequr statusin “non grata” të një personi të njohur të politikës shqiptare.
“Është bërë një kontratë 6 milionë euro. Thuhet nga patriotë. 6 milionë euro për të hequr damkën e një personi non grata janë vërtet shumë për të mos bërë pyetjen: Ku u gjetën gjithë ato para?”, u shpreh Rama, duke theksuar se kjo shumë tejkalon shpenzimet që shteti shqiptar u jep të gjitha partive politike të marra së bashku.

Më tej, Rama ironizoi situatën duke kujtuar edhe rastin e mëparshëm të Lulzim Bashës me lobimin 500 mijë dollarësh: “Edhe herën e kaluar, Luli i shkretë për 500 mijë u bë leckë”, tha ai.

Në fjalimin e tij, Rama theksoi se zgjedhjet e 11 majit nuk janë thjesht një përballje politike, por një vendim historik mes rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe interesave personale të një “80 e kusur vjeçari” që, sipas tij, kërkon ta kthejë vendin pas në kohë. Ai u bëri thirrje vlonjatëve që të tregojnë ndjeshmëri historike në këtë moment të rëndësishëm dhe të mbështesin Partinë Socialiste në mënyrë që Shqipëria të sigurojë anëtarësimin në BE.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu