Labinoti Mali njihet në të gjithë vendin si një nga prodhuesit më të mëdhenj të gështenjave. Fshati malor i Elbasanit e ka përqendruar të gjithë aktivitetin e tij në këtë drejtim duke prodhuar rreth 300 tonë gështenja çdo vit. Por fermerët ankohen për çmimin e ulet dhe mungesën e një pike grumbullimi.
“Shitja ka qenë mirë, por prapë ulet. Ka qenë me 150 arriti me 100 lekë. Ja vlen? Po ne e kemi shit edhe me 30, por është me mirë që prodhimi të ngrihet. Fiton me tepër tregtari se fshatari? Tregtari fiton me shumë se ne, sepse ne e kemi prodhimin dhe do e shesim se me e mbajt ajo kalbet”, thotë një banor i zonës.
Banorët e zonës theksojnë se çmimi nuk e justifikon mundin e tyre, por kjo është e vetmja mënyrë për të fituar sadopak të ardhura.
“Shitja është e pakët, me mundimin që bëjmë ne është shumë, shumë e pakët. Nuk na leverdis që të vijmë t’i mbledhim. Me sa shkon? E shumta 100-110 e shumta te ne, tregtari ka dhe ai fitimet e veta”, shprehet një tjetër.
Gështenjat e Labinotit Mal po eksportohen gjerësisht në Itali, thonë grumbulluesit, e cila i përdor në pastiçeri dhe kryesisht në prodhimin e çokollatave.
“Është shumë cilësore është bio malli që vijmë e marrim ne këtu, e tërheq shumë Italia. Pavarësisht se ne kemi problemet tona me Italinë për pagesën me transportin me të gjitha këto, po prapë jemi munduar dhe ja kemi dalë”, thotë Rakip Pisha, grumbullues i gështenjave.
Përveç vështirësisë që ky produkt ka për sa i përket vjeljes, ai nuk kërkon kujdes të veçantë dhe për fermerët e kësaj zone siguron të ardhura, pasi është e vetmja mënyrë jetese./euronews