
Rajoni i largët i Xinjiang në Kinë është shndërruar në një nga destinacionet më të vizituara të vendit, duke tërhequr rreth 300 milionë turistë vetëm në vitin 2024, më shumë se dyfishin e vizitorëve që kishte në vitin 2018, sipas autoriteteve kineze.
I njohur për peizazhet spektakolare – male të thepisura, liqene kristal, kanione dhe stepat e pafundme – Xinjiang është promovuar nga Pekini si “parajsa e re turistike”, me qëllimin për të rritur edhe më tej numrin e vizitorëve në 400 milionë në vit deri në 2030. Të ardhurat nga turizmi vitin e kaluar arritën në 360 miliardë juanë (rreth 51 miliardë dollarë).

Megjithatë, prapa këtij imazhi turistik që shfaqet në rrjete sociale dhe në mediat shtetërore, qëndron një realitet i diskutueshëm. Xinjiang ka qenë për vite me radhë në qendër të akuzave për shkelje masive të të drejtave të njeriut, përfshirë ndalimin e më shumë se një milionë myslimanëve ujgurë në kampe “riedukimi”, si dhe asimilim të detyruar kulturor.
Kina i ka mohuar vazhdimisht këto pretendime, duke e paraqitur fushatën e saj si luftë kundër ekstremizmit dhe si pjesë të zhvillimit ekonomik të rajonit. Por raportet e Kombeve të Bashkuara dhe të organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut flasin për represion sistematik, shkatërrim të xhamive dhe ndryshim të emrave tradicionalë të fshatrave ujgurë.

Ndërkohë, qeveria kineze po investon miliarda në infrastrukturë dhe turizëm, duke ndërtuar rrugë, aeroporte dhe hotele ndërkombëtare të markave si Hilton e Marriott. Rrugët malore, si ajo e Yizhao Highway, janë kthyer në itinerare të famshme për vizitorët vendas dhe të huaj.
Turistët e rinj që shkojnë në Xinjiang përshkruajnë një peizazh “mahnitës dhe të sigurt”, por edhe një prani të dendur policie dhe survejimi. “Ka shumë pika kontrolli dhe kamera, por kjo nuk e prishi udhëtimin tonë”, thotë një vizitor nga Singapori për BBC.
Të tjerë, megjithatë, ndihen të pasigurt për autenticitetin e përvojës së tyre. “E ndjen që ajo që sheh është versioni që qeveria dëshiron të tregojë,” thotë një turiste malajziane, e zhgënjyer nga kufizimet për të vizituar xhamitë apo për të folur lirisht me vendasit ujgurë.

Në rrjetet sociale kineze, Xinjiang paraqitet si një tokë “misterioze dhe ekzotike”, ku udhëtarët publikojnë foto nga liqenet e Altay-t dhe tregjet e Kashgarit, pa asnjë përmendje të situatës politike.
Aktivistja ujgure Irade Kashgary, që jeton në SHBA, thotë se ky “rebrending” është pjesë e përpjekjeve të Pekinit për të shitur një version të sterilizuar të kulturës ujgure:
“Ata na paraqesin si folklor për turistët. Ndërkohë, ne që jemi larg nuk mund të kthehemi më në shtëpi.”

Pavarësisht kritikave, fluksi turistik në Xinjiang vazhdon të rritet, ndërsa Kina përpiqet ta kthejë një nga rajonet më të ndjeshme politikisht në një vitrinë të suksesit ekonomik dhe harmonisë etnike – një imazh që shumë e shohin si të ndërtuar mbi kontradiktat e një realiteti të fshehur.







