Sot, më 11 korrik 2025, bota përkujton 30-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës, një nga krimet më të rënda kundër njerëzimit që ndodhi në tokën europiane pas Luftës së Dytë Botërore. Më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë u vranë nga forcat serbe të udhëhequra nga Ratko Mlladiç, në një zonë të shpallur “të sigurt” nga Kombet e Bashkuara.

Në Memorialin e Potoçarit u mbajtën homazhe dhe ceremoni përkujtimore, ku morën pjesë udhëheqës rajonalë e ndërkombëtarë, familjarë të viktimave dhe qindra qytetarë që kërkojnë drejtësi dhe mos-harrim.

Në këtë përvjetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një deklarate në rrjetet sociale tha:

“Sot shënojmë 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës — një ditë për të vajtuar 8.372 burra dhe djem të vrarë në masakrën më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Edhe sot, mbetjet e viktimave ende po gjenden dhe Serbia nuk ka ofruar kurrë një ndjesë për këtë gjenocid në zemër të Evropës.

Për Kosovën, Srebrenica është një dhimbje e dyfishtë, sepse paralajmëroi fushatën gjenocidale që ndodhi në vendin tonë pak kohë më vonë.

Të nderosh Srebrenicën do të thotë të mësosh nga ajo. Gënjeshtrat që u përdorën për të justifikuar këto krime ende dalin në pah, dhe kur autorët mohojnë përgjegjësinë, rreziku i dhunës së përsëritur mbetet. Të ecësh përpara realisht do të thotë të kërkosh të vërtetën, drejtësinë dhe guximin politik për të mos e përsëritur historinë.

Fatkeqësisht, memoriali i Srebrenicës ndodhet në Republika Srpska, udhëheqësit e së cilës, së bashku me Beogradin, vazhdojnë të mohojnë gjenocidin, pavarësisht vendimeve të qarta të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Sot, tridhjetë vjet më vonë, vajtojmë jetët e humbura dhe dhimbjen e paimagjinueshme të familjeve dhe të gjithë një komuniteti. Po ashtu, përqafojmë mësimet e këtij kapitulli të errët, sepse kemi detyrimin e një lidershipi politik që mëson nga historia.”

Masakra e Srebrenicës është njohur si gjenocid nga drejtësia ndërkombëtare, por ende sot, 30 vite më pas, shumë prej autorëve nuk kanë pranuar përgjegjësinë, dhe plagët në Bosnjë-Hercegovinë mbeten të hapura.

Apeli i përbashkët i këtij përvjetori: Kujtesë, drejtësi dhe mos përsëritje.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu