Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur sot vendimin në ngarkim të të pandehurve Ilir Nishani, vëllai i ish presidentit Bujar Nishani, Gerson Tafa dhe Genci Hicka, të cilët u kallëzuan në SPAK nga mjeku Kostandin Balloma.

Ilir Nishani dhe Genci Hiçka u shpallën të pafajshëm, ndërsa Gerson Tafa u shpall fajtor dhe u dënua me 2 vite burgim, por gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vënien në provë për 24 muaj, me kusht që gjatë kësaj periudhe ai të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të qëndrojë në kontakt me Zyrën e Shërbimit të Provës.

Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.

Në janar të 2020-ës, mjeku Kostandin Balloma ka kallëzuar në SPAK 3 inspektorët. Sipas mjekut, Hiçka, Tafa dhe Nishani ishin inspektor të Ministrisë së Mjedisit, dhe i kishin kërkuar klinikës ku punonin Balloma dhe Boçi, 30. 000 lekë.

Njoftimi i plotë

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal me nr. 84, të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurve Ilir Nishani, Gerson Tafa dhe Genci Hicka”.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Flojera Davidhi, Elsa Ulliri dhe Erjon Çela, me vendimin nr. 71, datë 11.11.2025 vendosi:

1. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ilir Nishani për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 259/1 dhe 25 të K.Penal (i ndryshuar me Ligjin nr. 43/2021, datë 23.03.2021), për shkak se nuk provohet që e ka kryer veprën penale.

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Gerson Tafa për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259/1 të K.Penal (i ndryshuar me Ligjin nr. 43/2021, datë 23.03.2021), dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.

3. Në zbatim të nenit 59 të K.Penal pezullimin e ekzekutimin të vendimit me burgim për të pandehurin Gerson Tafa dhe vënien në provë për 24 (njëzet e katër) muaj, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me Zyrën e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tij.

4. Në respektim të nenit 35 të K.Penal, heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Gerson Tafa, për një periudhë 5 (pesë) vjeçare.

5. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Genci Hicka për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 259/1 dhe 25 të K.Penal (i ndryshuar me Ligjin nr. 43/2021, datë 23.03.2021), për shkak se nuk provohet që e ka kryer veprën penale.

6. Provat materiale të mbeten pjesë e fashikullit të gjykimit.

7. Shpenzimet e fazës hetimore dhe ato gjyqësore sipas formularit bashkëlidhur t’i ngarkohen të pandehurit deklaruar fajtor Gerson Tafa.

8. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit gjyqësor të arsyetuar./shqiptarja

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu