
Zjarri ra në orët e para të mëngjesit në lagjen “Gafurr Muço”. Dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme. Policia dhe grupi hetimor në vendngjarje.
Lushnjë – Katër autobusë janë shkrumbuar nga flakët në një zjarr që ra gjatë natës në lagjen “Gafurr Muço”, në vendin e njohur si “ish-parku i autobusëve”. Ngjarja ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm, dhe përmasat e flakëve ishin të mëdha, duke përfshirë disa mjete të parkuara pranë njëri-tjetrit.
Sipas të dhënave paraprake nga policia, dyshohet se zjarri ka nisur fillimisht në një nga autobusët e parkuar, ndërsa më pas është përhapur me shpejtësi edhe në tre mjete të tjera në afërsi. Autobusët janë në pronësi të shtetasve me inicialet V. Z., B. M. dhe G. M.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se nuk përjashtohet pista e zjarrvënies së qëllimshme, por nuk përjashtohet as ndonjë defekt teknik si shkak i zjarrit. Aktualisht, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për mbledhjen e provave materiale dhe marrjen e dëshmive që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Nga flakët nuk raportohet për persona të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme. Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit pas një ndërhyrjeje disa orëshe.
Policia e Lushnjës ka nisur procedurat për hetimin e rastit dhe pritet që në vijim të ketë më shumë detaje mbi shkakun dhe përgjegjësit e mundshëm të ngjarjes.
?