Tiranë – Këshilli i Ministrave ka ratifikuar marrëveshjen për bashkëpunimin mbi sigurinë dhe mbështetjen afatgjatë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës. Në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar propozimi i projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mbi sigurinë dhe mbështetjen afatgjatë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës. Ky projektligj do t’i dërgohet Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.

Marrëveshja, e cila vjen me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe ministrit të Mbrojtjes, synon të forcojë partneritetin mes dy vendeve në fushën e sigurisë dhe ndihmës afatgjatë, duke reflektuar angazhimin e Shqipërisë në mbështetje të Ukrainës.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe, veçanërisht në kontekstin e sfidave të sigurisë në rajon.

Marrëveshja për Bashkëpunim në Siguri dhe Mbështetje Afatgjatë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës është një dokument gjithëpërfshirës që synon forcimin e partneritetit dypalësh në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Kjo marrëveshje, e nënshkruar në Davos nga Kryeministri i Shqipërisë dhe Presidenti i Ukrainës, përfshin një sërë angazhimesh strategjike për një periudhë 10-vjeçare.

Pikat kryesore të marrëveshjes përfshijnë:

  1. Mbështetje ushtarake dhe modernizim: Shqipëria angazhohet të ofrojë mbështetje të mëtejshme për Ukrainën në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke u fokusuar në nevojat më urgjente dhe duke kontribuar në rritjen e ndërveprueshmërisë me partnerët euroatlantikë. Kjo përfshin pjesëmarrjen në përpjekjet ndërkombëtare për modernizimin e Forcave të Mbrojtjes të Ukrainës.
  2. Bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes: Të dy vendet do të bashkëpunojnë për integrimin e industrisë së mbrojtjes së Ukrainës në sistemin e NATO-s dhe në Bazën Teknologjike dhe Industriale të Mbrojtjes Evropiane (EDTIB). Kjo përfshin zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe prodhimin e përbashkët të pajisjeve mbrojtëse, veçanërisht me lokalizim në Ukrainë.
  3. Bashkëpunim në fushën e inteligjencës dhe sigurisë: Marrëveshja parashikon thellimin e bashkëpunimit në fushën e inteligjencës dhe sigurisë, në përputhje me marrëveshjet dypalëshe dhe mekanizmat shumëpalësh.
  4. Siguria CBRN: Duke njohur rreziqet që lidhen me sigurinë Kimike, Biologjike, Radiologjike dhe Bërthamore (CBRN), Shqipëria dhe Ukraina angazhohen të mbështesin dhe forcojnë arkitekturën globale të sigurisë bërthamore, bazuar në parimet dhe standardet e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).
  5. Siguria detare: Pjesëmarrësit do të koordinojnë përpjekjet për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e sigurisë detare, në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin e Detit dhe instrumentet e tjera ligjore ndërkombëtare. Shqipëria do të mbështesë Ukrainën në ndërtimin e strukturave moderne dhe të qëndrueshme të sigurisë detare, duke rritur ndërveprueshmërinë dhe standardizimin me NATO-n.
  6. Kjo marrëveshje reflekton angazhimin e përbashkët të Shqipërisë dhe Ukrainës për të forcuar kapacitetet mbrojtëse dhe për të kontribuar në stabilitetin rajonal dhe global.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu