Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka kujtuar 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, duke e cilësuar atë si një moment përcaktues në histori.

Në një reagim publik, Hoxha thekson se ndërhyrja e NATO-s përmes Operacionit “Allied Force” i dha fund dhunës dhe spastrimit etnik të regjimit të Slobodan Milošević ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Sipas tij, ky ishte një moment kur “dinjiteti njerëzor mbizotëroi mbi frikën” dhe kur komuniteti ndërkombëtar zgjodhi të mos qëndronte indiferent përballë mizorive.

Ministri vlerëson gjithashtu rolin e Shqipërisë gjatë asaj periudhe, duke theksuar se vendi hapi dyert për mijëra refugjatë nga Kosova, duke ofruar strehim dhe mbështetje në një moment të vështirë historik.

“Sot, Kosova është e lirë dhe e pavarur, një dëshmi e qëndresës dhe sakrificës së popullit të saj”, shprehet Hoxha, duke shtuar se vendi ka bërë progres në forcimin e institucioneve demokratike dhe në konsolidimin e rolit të tij në rajon.

Ai nënvizon se Shqipëria, si anëtare e NATO-s, mbetet krenare për rolin e Aleancës në ndalimin e luftës dhe rikthimin e shpresës në Kosovë.

Në përfundim, Hoxha thekson se rrugëtimi i Kosovës drejt integrimit euro-atlantik vijon me vendosmëri, mbi bazën e vlerave të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu