
PD ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe ministres së Bujqësisë, Anila Denaj, lidhur me skandalin e kontaminimit të 27 ton fileto pule, e importuar nga Brazili për tregun shqiptar.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, anëtari i Kryesisë, Grigels Muçollari, thotë se askush nuk e mohon që mishi me lëndën helmuese, ka mbërritur ne marketet dhe shtëpitë e qytetarëve.
Duke e cilësuar një skandal shumë të rëndë, Muçollari hodhi akuza në adresë të autoriteteve përgjegjësë, që sipas tij kanë reaguar me vonesë për analizat finale, duke lejuar konsumimin e produktit nga qytetarët.
DEKLARATË PËR MEDIA ANËTARI I KRYESISË NË PD, GRIGELS MUÇOLLARI
As 32 pesticidet e dëmshme për shëndetin të ndaluara në BE, por që qarkullojnë lirisht në Shqiperi, as salmonela helmuese nuk e bëjnë qeverinë, Ministren e Bujqësisë, Anila Denaj, dhe AKU të lëvizin nga vendi.
Opinioni publik është tronditur dje nga zbulimi i faktit se në fillim të këtij muaji, 27 ton fileto pule e prekur nga salmonela, ka hyrë në Portin e Durrësit.
Këtë e konfirmon zyrtarisht dhe AKU. Kjo agjenci, pretendon se ka rënë në gjurmë të salmonelës që në doganen e portit. Por, nuk ka kryer detyrën për bllokimin e menjëhershëm.
Pra, një pjesë e madhe e kesaj sasie ka hyrë në treg.
Ka pasur dje gjithë ditën raportime për këtë situatë. Për shkak të mungesës së transparencës dhe papërgjegjshmërisë kriminale të Ministres Denaj, versionet janë të ndryshme.
Por, askush nuk e mohon që mishi me lëndën helmuese, ka mbërritur ne marketet dhe shtëpitë e qytetarëve.
Ky është një skandal shumë i rëndë. Autoritetet tona së pari kanë reaguar me vonesë për analizat finale, dhe më e keqja, e kanë lejuar produktin të konsumohet.
Meqënëse as demtimi i shëndetit të qytetarëve nuk është arsye për zonjën Denaj të mbajë përgjegjësi, të bëjë transparencë e të largohet një orë e më parë nga ajo detyrë, ne i themi sot Prokurorisë, që nëse vertetë kërkon të bëjë punën e të mbrojë qytetarët, të heqë dorë nga ndjekja e keqbërësve të vegjël, por të shkojë drejt e në zyrën e Ministres së Bujqësisë.
Siguria ushqimore do të vendoset me 11 Maj me votën e qytetarëve, por ndërkohë do të kerkojmë transparencë të plotë të këtyre ngjarjeve dhe vënien para Drejtesisë të çdo qeveritari.
Partia Demokratike e konsideron sigurinë ushqimore si çështje të Sigurisë Kombëtare.
Partia Demokratike do të angazhojë specialistët më të mirë dhe gjithë burimet e duhura për ta garantuar produkin ushqimor, për fëmijët tanë, për prindërti tanë, përmes një platforme që parashikon përmbysje totale të gjendjes aktuale, që nga ndërhyrjet ligjore e deri tek ofrimi i standarteve europiane në analizimin dhe trajtimin e rasteve. PD do të rrisë kapacitetet në burime njerëzore dhe në infrastukrurë, për të bërë të mundur parandalimin e rasteve.
© SYRI.net