Një ngjarje e rëndë kriminale është shënuar në një familje në Fier mbrëmjen e së mërkurës (23 Korrik), ku vajza Emanilda Rama 26 vjeç mbyti me tel babain e saj Anesti Rama 56 vjeç.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 23:00 të së mërkurës, në fshatin Frashër në banesën e familjes Rama.

Vajza 26-vjeçare ka vrarë babain duke e mbytur me tel, çka i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Shkak i ngjarjes mësohet se kanë qenë debatet për motive të dobëta prej disa kohësh mes vajzës dhe babait, pasi dyshohet se ky i fundit nuk e lejonte të vishej në mënyrë ekstravagante.

Në dijeni të krimit të rëndë ishte edhe mamaja e vajzës, pra bashkëshortja e të ndjerit, teksa të dyja bashkë pas vrasjes tentuan të fshihnin ngjarjen duke pastruar trupin e viktimës.

Pasi vrau të atin, vajza telefonoi policinë duke pretenduar se babai kishte humbur jetën si pasojë e një ngjarje aksidentale.

Por gjatë marrjes në pyetje dhe deponimit të saj para grupit hetimor të Policisë së Fierit, hetuesit dyshuan mbi vërtetësinë e thënieve të 26-vjeçares Emanilda Rama.

Nga veprimet e shpejta hetimore, autoritetet zbuluan se Anesti Rama ishte vrarë me mbytje.

Gazetarja e Report Tv në Fier, Marsela Topi, ka mësuar se pas zbardhjes së ngjarjes nga uniformat blu, vajza e pranoi krimin.

Ajo tregoi edhe motivet përse ndërmori aktin ekstrem. Sipas saj, i ati e trajtonte me fanatizëm duke mos e lejuar të vishej në mënyrë bashkëkohore dhe as të argëtohej. Emanilda Rama u tha hetuesve se babai i ushtronte presion në përditshmërinë e saj.

Vajza u arrestua në flagrancë, ndërsa nëna 53-vjeçare e vajzës, e cila dyshohet për bashkëpunëtore, mbahet e shoqëruar deri sa të parcaktohet përgjegjësia e saj.

Njoftimi i Policisë Fier:

Drejtoria Vendore e Policisë Fier/Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe profesionale, zbardhet dinamika dhe autorësia e një krimi në familje.

Vrau babanë e saj, nëpërmjet strangulimit (mbytje me tel), dhe e kallëzoi në polici, rreth mesnatës, si ngjarje aksidentale, arrestohet 26-vjeçarja.

Shoqërohet nëna e saj, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar për pastrimin e trupit të 56-vjeçarit të vrarë, me qëllim inskenimin e ngjarjes si aksidentale.

Si rezultat i hetimeve profesionale dhe të shpejta, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, pas kallëzimit të shtetases E. R., 26 vjeçe, rreth orës 23:00 të datës 23.07.2025, se babai i saj, shtetasi A. R., 56 vjeç, kishte humbur jetën aksidentalisht, në banesën e tyre, në fshatin Frashër, u finalizua operacioni “Inskenimi”.

Shërbimet e Policisë, gjatë deponimit të 26-vjeçares dhe gjatë veprimeve të para hetimore, kanë krijuar dyshim se humbja e jetës së 56-vjeçarit nuk ishte aksidentale dhe për këtë arsye kanë vijuar hetimet e thelluara.

Gjatë këtyre veprimeve të kryera në koordinim me Prokurorinë e Fierit, ka rezultuar se shtetasja E. R. ka vrarë babanë e saj, shtetasin A. R., për motive të dobëta, me mjet strangulues (mbytur me tel).

Më pas, 26-vjeçarja, dyshohet se në bashkëpunim me nënën e saj, njëkohësisht bashkëshorte e shtetasit A. R., shtetasen V. R., 53 vjeçe, kanë tentuar të pengojnë zbulimin e së vërtetës, duke pastruar trupin e 56-vjeçarit. Pas këtyre veprimeve, shtetasja E. R. ka njoftuar Policinë.

53-vjeçarja është aktualisht e shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku po kryhen veprime të thelluara hetimore për të përcatuar shkallën e përgjegjësisë së saj në lidhje me këtë rast. Në përfundim të veprimeve hetimore do të ketë njoftim shtesë për përgjegjësinë penale të kësaj shtetaseje.

Gjithashtu, vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim dokumentimin me prova ligjore të të gjitha rrethanave të këtij rasti.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme./shqiptarja

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu