Një 26-vjeçar u vu në pranga në Borsh. Sipas asaj që njoftoi policia, Emanuel Shkëmbi kërcënoi me pistoletë dy punonjëse të hotelit të tij, një 21-vjeçare dhe një 53-vjeçare, nënë e bijë.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, pas marrjes së njoftimit se një shtetas po kanoste me armë zjarri dy punonjëset e hotelit të tij në Borsh, organizuan menjëherë punën për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit dhe kapjen e autorit. Si rezultat i veprimeve të shpejta, u arrestua në flagrancë shtetasi: E. Sh., 26 vjeç, banues në Himarë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosja””, njoftoi policia.


Ngjarja në fjalë ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta. Ndërkohë janë proceduar penalisht edhe dy persona të tjerë. Mes tyre është një 56-vjeçar, babai i autorit, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj 21-vjeçares. Ndërsa një 76-vjeçar dyshohet se ka fshehur pistoletën që ka përdorur i riu.

“Arma u gjet dhe u sekuestrua së bashku me krëherin dhe 8 fishekët, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në njërën prej dhomave të hotelit”, njoftoi policia./tvklan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu