Të martën, Pallati i Sportit “Farie Hoti” në Tiranë nuk do të presë tifozë sportivë, por përfaqësues politikë. Në këtë arenë do të zhvillohet një tjetër “ndeshje” – ajo e numrave të zgjedhjeve të 11 majit, që Partia Demokratike ende nuk i njeh si të mbyllura.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur hapjen dhe rinumërimin e 2,240 kutive të votimit në qarqet Tiranë, Durrës, Fier dhe Elbasan, pas kërkesës së anëtarëve të opozitës në KQZ.

Fokusi fillestar: Elbasani
Procesi do të nisë me 96 kuti të qarkut Elbasan, të cilat nuk do të rinumërohen, por do të verifikohen për të hetuar nëse ka patur manipulim të listës së votuesve, siç pretendon opozita. Konkretisht, PD kërkon të zbulojë nëse ka më shumë vota sesa qytetarë që kanë votuar në qendrat përkatëse në Gramsh dhe Peqin – të cilat janë vënë në fokus nga pretendimet për manipulim, të njohur nga demokratët si “treni bullgar”.

Maratona e rinumërimit
Pas mbylljes së verifikimeve për Elbasanin, do të nisë rinumërimi i të gjitha kutive të Tiranës (1,282), Fierit (587) dhe Durrësit (275). Fillimisht do të numërohen votat për partitë, ndërsa në raundin e dytë do të verifikohet renditja e kandidatëve.

Në Partinë Demokratike, pritshmëritë janë të ndara. Disa kandidatë që nuk fituan presin ndryshim rezultati, ndërsa zyrtarisht partia ka fokusin tek provat për të vërtetuar atë që e cilëson si “farsë elektorale”.

Marash Logu, përfaqësues ligjor i PD:
“Si përfaqësues ligjor i PD përfaqësoj vetëm interesin e Partisë Demokratike dhe qëllimin për të faktuar farsën elektorale. Kandidatët janë në të drejtën e tyre të ngrejnë çdo pretendim për rezultatin dhe renditjen përfundimtare.”

Nga ana tjetër, Partia Socialiste e sheh me qetësi këtë proces, duke theksuar se opozita ka pasur të gjithë hapësirën për të provuar pretendimet e saj.

Elena Xhina, përfaqësuese ligjore e PS në KQZ:
“Partisë Demokratike iu krijua gjithë komoditeti për të gjetur prova dhe për t’i sjellë para KAS-it, gjë që nuk e bëri asnjëherë. Të gjitha pretendimet e saj ishin thjesht hipoteza dhe denoncime në rrjetet sociale.”

Shpresa e fundit: Kolegji Zgjedhor
Ndërsa kutitë hapen njëra pas tjetrës, opozita ka zhvendosur betejën në Kolegjin Zgjedhor, që mbetet shpresa e fundit për të sfiduar zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve.

Kutitë që do të hapen sipas qarqeve:
Qarku Kutitë Lloji i procesit
Elbasan 96 Verifikim
Tiranë 1,282 Rinumërim
Fier 587 Rinumërim
Durrës 275 Rinumërim
Total 2,240

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu