Më 11 maj në Shqipëri mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe për herë të parë shqiptarët që ndodhen jashtë, do të votojnë nga vendet ku jetojnë. Mark Gjonaj kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës e konsideron këtë një moment historik duke theksuar rëndësinë e votës së emigrantëve për fatet e vendit të origjinës. Sipas të dhënave zyrtare jashtë Shqipërisë janë 1.1 milionë shqiptarë me të drejtë vote, por vetëm rreth 10% e tyre kanë aplikuar për t’u regjistruar. Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës zoti Gjonaj thotë i bindur se deri më 4 mars, që është dhe afati i fundit i regjistrimit, numri i aplikimeve do rritet ndjeshëm, falë fushatave të informimit, e ndihmës që po i jepet diasporës.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjonaj, për herë të parë shqiptarët jashtë do të votojnë në vendin ku jetojnë, për zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë. Si u arrit deri këtu?

yacht hotel sarande

Mark Gjonaj: Para së gjithash ju falënderoj për mundësinë dhe që po mbuloni një çështje kaq të rëndësishme. Prej dekadash na është premtuar vota e diasporës. Më në fund po realizohet. Është hera e parë që diaspora do të mund të votojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare nga vendet ku jeton. Shumë njerëz dhe grupe kanë luftuar për këtë, për një kohë të gjatë, ndaj është e rëndësishme të njihen përpjekjet e tyre në këtë drejtim, përfshirë edhe ato të Këshillin Koordinues të Diasporës. Në vitin 2020, pasi u formuam, këshilli e nisi punën me një peticion që u nënshkrua nga 100 organizata ndërkombëtare, si dhe më shumë se 50 ambasadorë, ku bëhej thirrje për votimin e diasporës. Është një e drejtë kushtetuese. Është diçka që duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë dhe besoj se do të jetë një faktor ndryshimi për të ardhmen e Shqipërisë dhe drejtimin që po merr. Po jetojmë në një periudhë frymëzuese.

Zëri i Amerikës: Si kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës, nga kontaktet që keni, a keni vënë re interes për të votuar mes diasporës shqiptare, si në Shtetet e Bashkuara, ashtu dhe në vendet e tjera ku banojnë shqiptarët?

Mark Gjonaj: Absolutisht! Diaspora vlen, zëri i diasporës vlerësohet. Zëri dhe vlerësimi bëhet me votë. Diaspora po informohet me shpejtësi mbi afatet, që janë deri më 4 mars për t’u regjistruar dhe më pas zgjedhjet më 11 maj. Ne po bëjmë pjesën tonë për t’i njoftuar dhe diaspora tashmë po angazhohet. Ju e dini, ne shqiptarët si popull i zvarrisim disi gjërat, dhe ndoshta do të na duhet të presim. Por megjithatë po vëmë re interesim të menjëhershëm. Detyra jonë është që ndihmojnë në regjistrimin dhe realizimin sa më parë të procesit. Kjo është edhe detyrë e mediave apo e udhëheqësve politikë, që të sigurohen që ata të cilët mund të votojnë, të regjistrohen sa më shpejt, të sigurohen që dokumentet e tyre të rinovohen. Nëse keni një pasaportë të skaduar, nëse keni letërnjoftim të skaduar, duhet t’i rinovoni ato menjëherë, pasi të regjistroheni. Qeveria po përpiqet ta përshpejtojë procesin. Besoj se është 5 deri në 12 ditë për kartat e identitetit, dhe diku deri në 20 ditë për rinovimin e një pasaporte. Ndaj inkurajoj të gjithë që të mos presin deri në minutën e fundit për ta bërë këtë. Shpresojmë se qeveria do marrë vendim nëse diaspora do të lejohet të votojë me letërnjoftime të skaduara. Megjithatë i inkurajoj të gjithë që të mos presin, por të veprojnë menjëherë. Rinovoni kartat tuaja të identitetit dhe bëhuni pjesë e historisë dhe këtij momenti që do të formësojë të ardhmen e vendit.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjonaj, një numër jo i vogël aplikimesh po refuzohen për shkak se dokumentet nuk janë plotësuar si duhet, a po punoni ju me komunitetin për t’i ndihmuar ata?

Mark Gjonaj: Besoj se çdo votë vlen, çdo votë është e rëndësishme. Çdo votë e çdo shtetasi shqiptar duhet të numërohet. Ata që po hasin në vështirësi për t’u regjistruar dhe për të marrë miratimet që u nevojiten, ne do të bëjmë sa të mundemi. Dhe kur them ne, kam parasysh diasporën. Ne kemi vënë në dispozicion udhëheqës të komunitetit, linja telefonike, adresa të postës elektronike për të ndihmuar ata individë aplikimet e të cilëve nuk po miratohen. Ne kemi lidhje të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve në Shqipëri, për t’u siguruar që kur lind një problem, të gjejmë një mënyrë për ta zgjidhur atë. Kemi shumë punë përpara nesh, por kjo fillon me diasporën që bën pjesën e saj duke u regjistruar, e për problemet që dalin, ne bëjmë pjesën tonë për t’i zgjidhur ato, për t’u siguruar që çdokush që mund të votojë në mënyrë të ligjshme, të jetë pjesë e procesit.

Zëri i Amerikës: Megjithatë a mendoni se është bërë mjaftueshëm për të informuar diasporën mbi procesin e regjistrimit si votues?

Mark Gjonaj: Bëhet fjalë për një potencial prej rreth 1.4 apo 1.7 milionë votuesish. Informimi është një detyrim besoj për qeverinë, për udhëheqësit tanë politikë, për partitë politike, për udhëheqësit e diasporës dhe organizatat, apo institucionet fetare të gjitha luajnë një rol. Edukimi i votuesve është thelbësor. Çfarë duhet bërë dhe deri kur. Katër marsi është dita e fundit për t’u regjistruar. Zgjedhjet do të jenë më 11 maj. Sa ditë mbeten për të rinovuar kartat e identitetit nëse ju ka skaduar, që është një proces më vete, dhe ne po ndihmojmë në përshpejtimin e tyre. Ne do të sigurohemi që të gjithë ata që mund të votojnë ligjërisht, vota e tyre të numërohet në zgjedhjet e ardhshme.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjonaj deri tani ata që kanë një dokument identifikimi të skaduar shqiptar, nuk do të mund të votojnë. Autoritetet thonë se po punojnë për të adresuar këtë çështje. Por derisa të zgjidhet, pyetja ende qëndron. A duhet të bëjnë autoritetet shqiptare një përjashtim dhe të lejojnë diasporën të votojë me letërnjoftime shqiptare të skaduara? Janë rreth 600 mijë shqiptarë me letërnjoftime të skaduara dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre janë pjesëtarë të diasporës.

Mark Gjonaj: Unë besoj në demokraci, besoj se çdo votë vlen. Çdo votë ka rëndësi. Absolutisht që qeveria duhet të bëjë më shumë për të lejuar që ata të cilëve u kanë skaduar dokumentet e identifikimit ose e kanë humbur atë, të bëhen pjesë e këtij procesi. E di që ata kanë përshpejtuar procesin e rinovimit të dokumenteve. Pra, për një proces që nevojiteshin javë të tëra për t’u përmbyllur, tashmë kërkohen vetëm 5 deri në 12 ditë për të marrë një kartë të re indentiteti dhe deri në 20 ditë për një pasaportë. Di që qeveria po shpenzon një sasi të konsiderueshme parash për përshpejtimin e procesit. Por a mund të bënin më shumë? Do të doja të shihja që çdo qytetar me pasaportë apo kartë identiteti të skaduar që jetë votues i konfirmuar e të njihet si i tillë. Absolutisht. Çdo gjë që shmang gjithëpërfshirjen përkthehet në shtypje të së drejtës për të votuar. Kjo nuk është ajo që ne duam. Ne duam pjesëmarrje të votuesve.

Zëri i Amerikës: Një tjetër shqetësim lidhet me ata që nuk kanë fare dokumente identiteti. Disa parti politike po sugjerojnë që ata të votojnë me kartat e identitetit të vendeve ku po banojnë. A jeni dakord me këtë propozim?

Mark Gjonaj: Jo. Mendoj se kjo është një sfidë e madhe dhe e vështirë për t’u kapërcyer. Votuesit duhet të jenë të verifikuar. Ne duam të sigurohemi që ata që janë shtetas të Shqipërisë të mund të votojnë dhe duhet të votojnë. Unë nuk jam një shtetas i Shqipërisë e për këtë arsye nuk do të marr pjesë në këto zgjedhje dhe as që duhet të jem në gjendje ta bëj një gjë të tillë. Pra, procesi për ata që nuk kanë karta identiteti apo nuk mund të marrin një të tillë, apo nuk mund ta vërtetojnë se janë shtetas shqiptarë, duhet të jetë një i qartë, sepse kjo është pjesë e demokracisë dhe transparencës. Vetëm ata që janë shtetas shqiptar duhet të jenë në gjendje të votojnë. Ka kritere se si kjo mund të provohet që jeni i tillë dhe do të doja ta shihja këtë gjë që të zbatohej.

Zëri i Amerikës: Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duket se pjesëtarët e rinj të diasporës po tregojnë më shumë interes për procesin e votimit. A ishte kjo diçka e pritshme apo surprizë edhe për ju gjithaq?

Mark Gjonaj: Për mua ishte një surprizë e këndshme që të rinjtë dhe brezat e rinj angazhohen në këtë proces politik. Ata e vlerësojnë demokracinë. Ata e dinë vlerën e votës. Ekziston një thënie që thotë: “Shqiptarët dinë si me vdek për atdhe, por duhet me dit edhe si me jetu për atdhe”. Dhe ndoshta janë të rinjtë që e kanë përqafuar këtë pikëpamje. Që nuk duhet të jemi në kërkim të këngëve folklorike sesa heronj jemi, por duhet të kërkojmë të jemi një faktor formësues, për të ndihmuar në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për atdheun tonë dhe diasporën kudo që jeton. Ndaj jam i kënaqur të dëgjoj që të rinjtë janë të angazhuar në përqindje kaq të mëdha. Do të shpresoja që të rinjtë të bindnin edhe anëtarët e tjerë të familjes jo vetëm asaj të ngushtë, t’i inkurajojnë ata të bëjnë të njëjtën gjë, të bëhen pjesë e këtij momenti historic, që ndodh për herë të parë.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri ka zëra që shpesh shpërfillen ose anashkalohen që vënë në pikëpyetje nësë është e drejtë që një përfaqësues i diasporës të ketë të njëjtat drejta sa i takon votës me një shqiptar që jeton në Shqipëri. Disa vende u japin shtetasve të tyre emigrantë të drejta të pakufizuara mbi votimin, si Franca për shembull, por në vende të tjera emigrantët votojnë vetëm nëse kanë një numër të caktuar vitesh që janë larguar nga vendi, si Gjermania me një kufi prej 25 vitesh, përveçse nëse një person tregon se është ende i prekur nga vendimet politike në Gjermani. Çfarë mendimi keni mbi këtë çështje?

Mark Gjonaj: Shqipëria po ndjek atë që bëjnë pothuajse 130 vende të tjera të botës, të cilat në një mënyrë apo tjetër, e lejojnë diasporën të votojë në zgjedhje. Pra nuk ka asgjë të re në këtë drejtim. Ne nuk po rishpikim rrotën. Thjesht po ndjekim shembujt dhe jam i lumtur që po bëhet tani. Nuk mendoj se pyetja në të ardhmen do të jetë, pse e lejua diaspora të votojë, por pse pritëm kaq gjatë? Përfitimet janë të qarta. Mbrojmë identitetin tonë, interesat tona personale, duke kujtuar gjithmonë borxhin që kemi ndaj atdheut tonë. Pjesëmarrja e diasporës, kudo që jeton, duke përdorur ndikimin që kanë në vendet e tyre të reja, për të qenë pjesë e formësimit të së ardhmes së atdheut të tyre. Janë kohë te arta. Është një borxh që i kemi atdheut tonë dhe është e pabesueshme që ne jemi pjesë e këtij momenti të historisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjonaj disa argumentojnë se emigrantët shpesh përjetojnë një shkëputje me vendin e tyre të origjinës dhe për rrjedhojë, kur votojnë, ata ndoshta do të priren t’i shohin çështjet përmes një këndvështrimi prej turisti, pa adresuar çështjet urgjente me të cilat përballet Shqipëria. A është ky një shqetësim i ligjshëm?

Mark Gjonaj: Kjo është një e drejtë kushtetuese. Në këtë aspekt argumenti ligjor është i tejkaluar. Ne e përqafojmë për atë që është, një e drejtë kushtetuese që duhet ta ketë çdo qytetar shqiptar. Gjykatat e kanë marrë këtë vendim dhe sot qeveria po punon për ta realizuar atë. Tashmë duhet të përqëndrohemi në edukimin e diasporës se pse duhet të votojë. Është e thjeshtë, nëse nuk voton, nuk ke të drejtë të ankohesh. Vota juaj është zëri juaj. Ju meritoni të jeni pjesë e formësimit të së ardhmes së atdheut tonë. Ne të gjithë kemi investime, qoftë nëpërmjet familjes, qoftë si pjesë e krenarinë kombëtare apo identitetin shqiptar. Ne duam që shqiptarët të kenë sukses. Diaspora është një pasuri për Shqipërinë dhe duhet përqafuar si një e tillë. Nuk është një fantazëm. Ajo mund të japë një kontribut të konsiderueshëm, jo vetëm në ekonomi, me paratë që dërgon në atdhe, ku dhe përqëndrohet gjithmonë vëmendja. Ku janë ata njerëz që vënë në dyshim votën e diasporës kur 15% e Prodhimit të Brendshëm Bruto së Shqipërisë vjen nga diaspora? Pse nuk pyesin për këto? Lidhjet janë të qarta. Ne duhet të përforcojmë identitetin tonë dhe lidhjen tonë me atdheun. Është një përfitim i dyanshëm.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjonaj në bazë të të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë 1.1 milionë votues që banojnë jashtë Shqipërisë. Nga këta, deri tani, vetëm rreth 10 për qind kanë aplikuar. E shihni si shenjë skepticizmi ndaj procesit, apo thjesht ngaqë procesi është i ri?

Mark Gjonaj: Procesi i regjistrimit nisi më 11 janar. Kemi edhe rreth pesë javë të tjera deri më 4 mars që afati i regjistrimit të përfundojë. Besoj se në ditët dhe javët në vijim, ndërsa bëjmë fushatë, informojmë dhe edukojmë publikun e gjerë, do të shohim dhe një rritje të madhe të pjesëmarrjes. Kjo është ajo që shpresoj. Ne do të bëjmë pjesën tonë për t’i informuar të gjithë ata që mund të votojnë se duhet të votojnë duke u dhënë atyre informacionin që u nevojitet, si për shembull t’u japim adresat e faqeve në internet që duhet të vizitojnë, t’u ofrojmë informacion apo burime nëse kanë pyetje ose ndonjë problem, përfshirë hapjen e zyrave lokale. Kemi dy zyra të tilla në Bronks që janë të hapura për publikun e gjerë e që çdokush mund të shkojnë atje personalish. Do të ketë numra telefoni në dispozicion, dhe për ata që duhet të kontaktojnë nëpërmjet internetit, një adresë emaili info@diasporavote.com, ku mund të na kontaktojnë. Ne do t’u përgjigjemi, e shpresojmë ta adresojmë problemin që kanë. Ne kemi një rol për të luajtur dhe kjo gjë më emocionon. Besoj se deri më 4 mars, anëtarët e diasporës do të regjistrohen për të votuar, përtej pritshmërive.

Zëri i Amerikës: Duke qenë se diaspora do të votojë me postë, një shqetësim që po ngrihet në Shqipëri është mundësia e mungesës së fshehtësisë në votim apo për votim familjar. Cili është qëndrimi juaj mbi këtë çështje?

Mark Gjonaj: Këto janë të gjitha pjesë e diskutimeve familjare. Gjëra që i përjetojmë brenda mureve të shtëpisë çdo ditë. Ka diskutime politike, nëse jemi me të majtën apo të djathtën, çfarë qëndrimi kemi mbi zgjedhjet presidenciale apo lokale. Këto janë debate të shëndetshme që çdo familje duhet t’i ketë. Por shqetësimi im kryesor është që diaspora shqiptare të regjistrohet e të votojë. Se për kë votojnë ata është një çështje personale, u takon atyre individëve, familjeve të tyre dhe komunitetit. Sot ne do të përqendrohemi tek regjistrimi, e që të sigurohemi që procesi të jetë transparent, të sigurohemi që të edukojmë komunitetin mbi këtë të drejtë.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjonaj në raportin e fundit të ODIHR-it për zgjedhjet në Shqipëri, vihet ndër të tjera në dukje shqetësimi për presion që i bëhet punonjësve të administratës për votën. A besoni se kjo dukuri mund të prekë diasporën në një formë a një tjetër?

Mark Gjonaj: Çfarëdo pretendimesh të ketë, besoj se diaspora nuk është e manipulueshme. Vota e diasporës është një votë e pastër. Çfarë kërkon diaspora? Ata kërkojnë një vend më të shëndetshëm. Ata kërkojnë t’i jepet fund korrupsionit, të forcohet shteti ligjor. Ata kërkojnë investime në institucionet arsimore e të shëndetësisë. Ata duan të shohin Shqipërinë dhe popullin e saj, që të përparojë. Diaspora shqiptare nuk do të mund të manipulohej apo blihej lehtë. Ata do të bëjnë atë që është e drejtë për vendin, popullin dhe çështjen kombëtare. Dhe unë i besoj fort kësaj gjëje./voa

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu