
Janë pranuar në Mjekësi, por jo në Itali. Plot 220 studentë italianë do të ndjekin studimet universitare në Tiranë, në degën e huaj të Universitetit të Tor Vergata, në kuadër të një programi të përbashkët me universitetin katolik shqiptar “Zoja e Këshillit të mirë”.
Sipas mediave italiane, studimi jashtë vendit do t’u kushtojë studentëve mbi 9 mijë euro në vit, edhe pse në fund ata do të pajisen me një diplomë italiane. Në Tiranë kanë përfunduar kryesisht studentë që renditen në pozicionet më të ulëta të listës së të pranuarve pas provave të semestrit filtër. Në shumicën e rasteve, ata kanë marrë vetëm një notë kaluese, ndërsa vendi i fituar nuk ka qenë zgjedhja e tyre e parë.
Një prej studenteve, Gaia Volpe, 20 vjeçe nga Montella (Avellino), ka pranuar për gazetën La Repubblica se nuk e kishte kuptuar se vendndodhja e studimeve ishte në Shqipëri. “Në zgjedhjen e preferencave nuk e kuptova që dega ishte në Shqipëri, mendoja se ishte ajo e Tor Vergata-s në Romë”, ka deklaruar ajo.
Nga 17.278 vendet e shpallura këtë vit nga Ministria italiane e Arsimit për Mjekësinë, përfshihen edhe 220 vende në Tiranë, ndonëse fillimisht ishin ende në fazë akreditimi. Ky informacion, sipas Universitetit të Tor Vergata-s, ka qenë i publikuar që në muajin gusht dhe i shoqëruar me të gjitha detajet për regjistrimin në faqen zyrtare.
Megjithatë, studioja ligjore Delia ka theksuar se jo të gjithë studentët kishin kuptuar se tarifimi për këtë program do të ishte ndryshe nga ai i universiteteve shtetërore italiane, çka ka sjellë reagime dhe pakënaqësi mes të rinjve dhe familjeve të tyre.






