Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë evidentuar 45 vatra zjarri, nga të cilat 21 mbeten aktive dhe 16 nën monitorim, ndërsa 8 janë shuar.

Situata mbetet kritike në zonat e Lurës, Bulqizës, Delvinës, Tiranës dhe Korçës, ku janë angazhuar mbi 1350 forca operacionale dhe 65 automjete zjarrfikëse. Përveç ndërhyrjeve nga toka, po përdoren edhe helikopterë nga Forcat e Armatosura dhe bashkëpunëtorët ndërkombëtarë për të frenuar përhapjen e flakëve.

Zjarret kanë rrezikuar banesa dhe zona urbane, duke detyruar evakuime në disa prej tyre. Autoritetet paralajmërojnë rrezik të lartë për zjarret në pyjet e vendit edhe për ditët në vijim.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes:

-Në Parkun Kombëtar Lurë, te “Liqeni i Luleve”, vazhdon aktive vatra në Gropën e Madhe dhe Pllau i Gjurës mbi fshatin Gurë-Lurë – janë angazhuar rreth 50 forca operacionale

-Në Zall Gjoçaj, bashkia Mat, zjarri ka një shtrirje mbi 14 km dhe vijon në tre kahe kryesore – në terren janë rreth 46 forca

-Në Qafë Buall, Bulqizë, zjarri është përhapur drejt Qytetit të Vjetër dhe Krastës – janë angazhuar 120 forca dhe 2 helikopterë, janë evakuuar 6 banesa

-Në malin mbi fshatin Kalasë, bashkia Delvinë, vijon ndërhyrja me 58 efektivë dhe 4 mjete FA – zjarri në zona të paarritshme nga toka

-Në Kopaçëz, Delvinë, zjarri mbetet aktiv – në terren janë 70 forca, një autoambulancë dhe helikopter Cougar

-Në fshatin Lugaxhi, Elbasan – mbi 50 forca në terren

-Në malin e Lisecit, Gramsh – vatra në zonë të vështirë, zjarri është sipërfaqësor dhe pa dëme

-Në Shkopet, në kufirin mes Kurbin–Mirditë–Mat – mbi 80 forca të angazhuara, nuk ka rrezik për banesat

-Në fshatin Fang, Mirditë – në operacion janë mbi 120 forca dhe 3 mjete

-Në Qeramicë, Devoll – vatër e re, rrezikon përhapje për shkak të erës

-Në Kriçkovë, Pogradec – forcat operacionale në terren

-Në Parkun Kombëtar Prespë, fshati Lajthizë, Pustec – sot priten të angazhohen 75 forca

-Në fshatin Galinë, Berat – zjarri është ende aktiv

-Në Fushëbardhë dhe pranë tunelit të Skërficës, Gjirokastër – zjarri përparon drejt zonës së mbrojtur “Bregu i Pamjes”, pritet ndërhyrje nga ajri

-Në Izvor i Vjetër dhe Duraj, Memaliaj – zjarri aktiv, por i izoluar në disa zona

-Në Malin me Gropa, Tiranë – rreth 55 forca në operacion, është arrestuar një i dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme

-Në fshatin Ibë, Tiranë – terren i vështirë, janë angazhuar 2 helikopterë, 6 mjete dhe 25 forca

-Në fshatin Shetel, Shijak – 40 forca në terren, pritet ndërhyrje nga ajri

-Në “Rraze Veshtit”, Malësi e Madhe – 35 forca të angazhuara, terren i pakalueshëm për mjete zjarrfikëse

Vatra të monitoruara

Ulëz (Mat), Livadhet e Peladhisë (Bulqizë), Maja e Paliskës dhe Sashic (Vlorë), Markat (Konispol), pyjet e Gurakuqit (Librazhd), Dishnicë (Korçë), Strelcë (Maliq), Muzhakë (Skrapar), Konisbaltë (Dimal), Paftal (Berat), Zgërbonjë (Poliçan), Gryka e Motinës – Dragobi dhe Mamëz (Kukës)

Forcat në operacion:

1350 forca operacionale

65 automjete zjarrfikëse

5 mjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë të Forcave të Armatosura

2 helikopterë hungarezë

2 helikopterë Canadair nga Kroacia dhe Italia (në zonën e Vlorës)

“Canadair” niset nga Italia për ndihmë

Në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, një avion zjarrfikës “Canadair” është nisur nga Italia dhe do të angazhohet në operacionet ajrore për shuarjen e flakëve në jug të vendit, në zonat Borsh, Piqeras dhe Lukovë.

Ky mjet ajror do të forcojë ndërhyrjet në terrene të vështira dhe të paarritshme nga toka, duke dhënë ndihmë në përballimin e situatës së zjarreve që kanë përfshirë këto zona. /tvklan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu