Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, aktualisht i ndaluar në paraburgimin “313”, ka kërkuar zyrtarisht të merret në pyetje për ngjarjet e 21 Janarit 2011. Përmes një njoftimi për media, PL bëri të ditur se Meta ka thirrur avokatin e tij Kujtim Cakrani dhe i ka kërkuar të depozitojë pranë SPAK-ut një kërkesë drejtuar prokurorit Alfred Shehu, i cili po heton dosjen e rihapur të 21 Janarit. Meta kërkon të pyetet në cilësinë e personit që ka dijeni mbi rrethana dhe fakte të ngjarjes ku u vranë katër protestues para Kryeministrisë.

Ngjarjet e 21 Janarit janë të lidhura ngushtë me publikimin e videos Meta–Prifti pak ditë më herët, e cila u transmetua në emisionin investigativ “Fiks Fare”. Në atë video, Meta – asokohe zv.kryeministër – fliste për ndërhyrje në tenderë, emërime dhe marrëveshje koncesionesh, ku përmendej edhe përfitimi i 7% të një shume që përllogaritej rreth 700 mijë euro. Publikimi i videos shkaktoi një tronditje të madhe politike dhe ndezi protestat e opozitës së asaj kohe, të cilat kulmuan më 21 janar me vrasjen e katër qytetarëve nga Garda e Republikës. Pikërisht për këtë arsye, figura e Metës mbetet e lidhur drejtpërdrejt me dinamikën që çoi drejt asaj dite tragjike, pasi ai ishte një nga aktorët më të rëndësishëm të qeverisë Berisha.

Ilir Meta, ndër vite, ka mohuar se videoja e tij ishte shkaku i protestës dhe ka deklaruar se 21 Janari ka qenë “një grusht shteti i ngritur mbi një falsifikim”. Së fundmi, në një debat televiziv ai ka pretenduar se kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun e dhunës dhe se kishte dhënë dorëheqjen për të shmangur tensionin politik.

Dosja e 21 Janarit është rihapur nga SPAK, pas detyrimeve të vendosura nga Strasburgu dhe Gjykata e Lartë, me qëllim zbardhjen e përgjegjësive institucionale dhe politike. Në këtë kontekst, kërkesa e Metës për të dëshmuar vjen në një moment kur figura të ndryshme të asaj periudhe po rivlerësohen nga drejtësia për rolin e tyre.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu