
A është 2030 viti kur Shqipëria do të bëhet anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian? Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së Kaja Kallas u përgjigj duke thënë se “do të ndodhë në rast se të dyja palët ndjekin hapat e duhur”. Vuri theksin te shteti ligjor.
“2030-a është një objektiv në rast se ne të gjithë do ndërmarrim hapat e duhura. Jo vetëm reformat që duhen miratuar, por duhen zbatuar. Sundimi i ligjit është skajshmërisht i rëndësishëm, është themel i begatisë së një vendi. Është diçka realiste në rast se të gjithë bëjmë detyrat e shtëpisë”, u shpreh Kallas.
Edhe kryeministri Edi Rama e sheh me optimizëm këtë rrugëtim 5 vjeçar.
“Kemi një periudhë 2-vjeçare ratifikimesh që do të konkludohen me uljen në tryezën e Bashkimit Evropian. Plani është i qartë, natyrisht pjesa jonë është të përmbyllim negociatat me sukses. Ambicia është që brenda vitit të hapim të gjithë kapitujt, është pjesë e planit të dakordësuar. Në këtë pikë nuk do na ndalë askush, jam i bindur që më 11 Maj do të marrim rezultatin e nevojshëm për ta çuar përpara këtë proces pa humbur asnjë sekondë”, deklaroi kreu i qeverisë. /tvklan.al