Themeluesi i Microsoft-it, Bill Gates, ka deklaruar se pjesa dërrmuese e pasurisë së tij do të përdoret për të përmirësuar sistemet e shëndetësisë dhe arsimit në Afrikë gjatë 20 viteve të ardhshme.

Në një fjalim të mbajtur në selinë e Bashkimit Afrikan në Addis Ababa të Etiopisë, Gates – tani 69 vjeç – theksoi se “duke çliruar potencialin njerëzor përmes shëndetësisë dhe arsimit, çdo vend afrikan mund të hyjë në rrugën drejt mirëqenies”.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së inteligjencës artificiale (AI) në sistemet shëndetësore të kontinentit dhe i bëri thirrje të rinjve afrikanë të mendojnë inovativisht për mënyrën se si teknologjia mund të përmirësojë jetën e njerëzve.

Gates njoftoi muajin e kaluar se planifikon të dhurojë 99% të pasurisë së tij – e cila parashikohet të arrijë në 200 miliardë dollarë deri në vitin 2045, vit kur fondacioni i tij do të përfundojë zyrtarisht aktivitetin.

“Kam marrë vendimin që pasuria ime të shpërndahet gjatë 20 viteve të ardhshme. Shumica e saj do të shkojë për të ndihmuar Afrikën në përballjen me sfidat që ka,” deklaroi ai.

Graça Machel, ish-zonja e parë e Mozambikut, përshëndeti këtë nismë duke e quajtur “një dritë shprese në një moment krize”. Ajo tha: “Llogarisim në përkushtimin e palëkundur të zotit Gates për të ecur përkrah nesh në këtë rrugë transformimi.”

Vendimi i Gates vjen në një kohë kur ndihmat nga SHBA për Afrikën janë shkurtuar, përfshirë edhe ato për trajtimin e HIV/Aids, si pjesë e politikës “America First” të presidentit amerikan Donald Trump, duke shkaktuar shqetësime për të ardhmen e shërbimeve shëndetësore në kontinent.

 

Gates deklaroi se fondacioni i tij do të fokusohet te përmirësimi i kujdesit shëndetësor parësor.

“Ajo që kemi mësuar është se ndihma për shëndetin dhe ushqimin e grave para dhe gjatë shtatzënisë sjell rezultatet më të forta. Gjithashtu, ushqyerja e mirë e fëmijës në katër vitet e para të jetës është vendimtare,” tha ai.

Ai përmendi edhe përparimet teknologjike në Afrikë, duke përmendur se kontinentit i është dhënë mundësia të kalojë drejtpërdrejt nga shërbimet tradicionale në ato moderne, siç ndodhi me bankat digjitale përmes celularëve. “Tani është radha e AI të transformojë shëndetësinë,” u shpreh Gates, duke përmendur Ruandën si shembull pozitiv, pasi tashmë po përdor AI për të zbuluar shtatzëni me rrezik të lartë përmes ekografive të avancuara.

Fondacioni Gates ka vendosur tri prioritete kryesore për dekadën e ardhshme: parandalimin e vdekjeve të evitueshme të nënave dhe foshnjave, eliminimin e sëmundjeve infektive të rrezikshme dhe nxjerrjen e miliona njerëzve nga varfëria.

“Pas 20 vitesh, fondacioni do të përfundojë misionin e tij,” u bë e ditur në një deklaratë zyrtare.

Vetë Gates, në një postim në blog muajin e kaluar, tha: “Do të thuhen shumë gjëra për mua kur të vdes, por jam i vendosur që njëra prej tyre të mos jetë: ‘vdiq i pasur’.”

Edhe pas dhurimit të 99% të pasurisë së tij, Gates pritet të mbetet ndër miliarderët e botës, sipas të dhënave të Bloomberg.

Bill Gates e themeloi Microsoft-in së bashku me Paul Allen në vitin 1975, duke ndërtuar një perandori që revolucionarizoi industrinë e teknologjisë. Ai është tërhequr gradualisht nga drejtimi i kompanisë, duke u larguar nga pozita e CEO në vitin 2000 dhe nga posti i kryetarit të bordit në vitin 2014.

Ai ka deklaruar se është frymëzuar për t’i dhuruar pasurinë e tij nga filantropë të tjerë si Warren Buffett, megjithatë, ka pasur edhe kritika ndaj fondacionit të tij, të cilat pretendojnë se ai përdor statusin bamirës për të shmangur taksat dhe se ka ndikim disproporcional në sistemin global të shëndetësisë. /vizionplus.tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu