
Një ngjarje tragjike ka tronditur sot ishullin e Zakinthosit në Greqi, ku një fëmijë shqiptar vetëm 2 vjeç ka humbur jetën pas një sulmi nga qeni i familjes, i racës pitbull.
Sipas mediave greke, prindërit e fëmijës, të cilët kanë edhe dy fëmijë të tjerë, ishin larguar për pak kohë nga banesa për të blerë furnizime. Pas kthimit, për shkak të një çasti pakujdesie, vogëlushi iu afrua pemës ku qeni ishte i lidhur, moment në të cilin ai u sulmua brutalisht nga kafsha.
Babai i të miturit, i tronditur thellë, ka rrëfyer për televizionin Alpha çastet e tmerrit:
“Më thirri vajza ime e vogël dhe unë vrapova menjëherë. Kjo është gjithçka që mbaj mend… djali im iku.”
Ai ka treguar gjithashtu se qeni kishte qenë i braktisur dhe ishte marrë nga familja për arsye humanitare:
“Qeni ishte i pastrehë, e kishin hedhur. E mora sepse fshati thoshte se do të hante kafshët. E mora për t’i dhënë një vend ku të qëndronte, dhe ky më mori djalin tim.”
Prindërit e transportuan menjëherë fëmijën në Spitalin e Përgjithshëm të Zakinthosit, ku stafi mjekësor u përpoq për disa minuta ta rikthente në jetë, por për shkak të plagëve të rënda, vogëlushi ndërroi jetë.
Autoritetet greke po hetojnë rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa komuniteti shqiptar në Zakinthos është shprehur i tronditur nga kjo tragjedi e rëndë.




