Qeveria ka në dispozicion për të shpenzuar në muajin dhjetor një shumë prej 196 miliardë lekësh (rreth 2 mld euro me kursin aktual të këmbimit), e cila është sa 25 për qind e buxhetit total të vitit 2024.

yacht hotel sarande

Sipas ndryshimeve të fundit në aktin normativ shpenzimet buxhetore mbeten të pandryshuara në nivelin 771,3 miliardë lekë (7,7 miliardë euro), ndërsa deri në muajin nëntor ishin shpenzuar 575 miliardë lekë. Sipas programit aktual në dhjetor mbetet për shpenzuar një e katërta e programit vjetor të buxhetit 2024.

Likuiditet e lira në buxhetin e 2024 si rrjedhojë e shpenzimeve më të ulëta se të ardhurat arritën në rreth 720 milionë euro (71,7 miliardë lekë në muajin nëntor 2024). Kur parlamenti votoi buxhetin e këtij viti ishte programuar që deficiti buxhetor në nëntor -19,9 miliardë lekë ose rreth -200 milionë euro.

Qeveria jo vetëm që nuk ka konsumuar borxhin e ri, por nga ana tjetër nuk ka arritur të shpenzojë sipas programit të ardhurat e realizuara. Me këtë likuiditet qeveria është në situatë të mirë financiare, çka i mundëson asaj një ulje historike të nivelit të borxhit. Por në ndryshimet e fundit që ju bënë buxhetit të vitit 2024 nëpërmjet aktit të tretë normativ, qeveria e la të pandryshuar objektivin e deficitit me -57 miliardë lekë dhe të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore, duke akumuluar për alokim në dhjetor rreth 1 të katërtën e buxhetit të këtij viti.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 11 mujore të vitit 2024, arritën në rreth 575.3 miliardë lekë me një realizim në masën 88.1% të planit të periudhës.

Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 11 mujorin e vitit 2024 u realizuan në masën 78% të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 74.6% të planit vjetor sipas Aktit Normativ nr. 3 datë 28.08.2024.

Pagesat ditore nga thesari gjatë këtyre ditëve janë rreth 8 herë mbi mesataren mujore të 11 muajve. Përqendrimi i shpenzimeve buxhetore është shndërruar në rutinë vitet e fundit, ku pothuajse 1 treta e buxhetit përqendrohet ne dy muajt e fundit të vitit.

Një tabelë e detajuar me ecurinë e investimeve vjetore 2024 tregon se, alokimin më të dobët në investimet kapitale e kanë ato në arsim ku në përfundim të vitit nuk është shpenzuar as një e treta e fondeve në nivelin parauniversitar. Duke qenë se kjo pjesë e investimeve është përgjegjësi e pushtetit lokal, nuk arrijnë të realizohen sipas programit, duke lënë shkollat në kushte te mjerueshme.

Gjithashtu investimet në pushtetin vendor kanë ecuri shumë të dobët. Vitin e kaluar u realizua vetëm gjysma e programit dhe këtë vit ecuria është shumë e dobët.

Paaftësia për të shpenzuar në kohë po krijon teprica likuiditeti në llogaritë e qeverisë. Kontrolli i Lartë i Shtetit në një inspektim në Ministrinë e Financave tha se përqendrimi i shpenzimeve në fund të vitit tregon për mungesë efektiviteti në përdorimin e taksave. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka verifikuar se gati 20 për qind e buxhetit 2023 është alokuar në dy muajt e parë të vitit 2024./ Monitor

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu