GJKKO ka lënë në qeli 7 shqiptarët dhe 3 kimistët e huaj që u arrestuan pas zbulimit të laboratorit të kokainës në Qerekë.
laborator kokaine qeret te arrestuarit gjkko seance gjykate
10 të akuzuarit për laboratorin e kokainës u arrestuan gjatë një operacioni të zhvilluar nga SPAK e agjentët spanjollë më 15 dhe 16 Nëntor.
Gjatë dëshmisë para togave të zeza, shtetasi nga Venezuela u shpreh se “Kam ardhur në Shqipëri për të mbjellë flokët”.
Ndërsa i huaji tjetër është shprehur se kishte ardhur për të blerë rroba të përdorura, pasi pretendon se është tregtar.
SHQIPTARËT E ARRESTUAR
1- Geis Sejfullai 42 vjeç, banues në Tiranë
2- Klajdi Birçe 40 vjeç, banues në Tiranë
3- Artion Çaushllari, 37 vjeç, banues në Tiranë
4- Endi Sejdini, 25 vjeç, banues në Krujë
5- Aldi Zonja 37 vjeç, banues në Tiranë
6- Ismail Abdurrahmani, 51 vjeç, banues në Shkodër
7 – Baki Huqi, 57 vjeç, banues në Durrës
TË HUAJT E ARRESTUAR
1- Hiwlen Ledezma Narvaez, 41 vjeç, shtetas kolumbian
2- Joze Ramon Zacarias Vasquez, 35 vjeç, shtetas venezuelian
3- Samuel Alfonso Moreno Serrano, 42 vjeç, shtetas venezuelian
Personazhet e vënë në pranga, në fakt, janë emra të panjohur për sistemin tonë të drejtësisë, përjashtim bën njëri prej tyre i dënuam për dy vrasje në dy kohë të ndryshme. Por ata që konsiderohen si organizator dhe financues të grupit në fakt nuk rezultojnë të skeduar më parë në vendin tonë. Prokuroria e Posaçme bëri me dije se ka qenë në dijeni të dy ngarkesave që do të vinin në emër të këtij grupi, çka do të thotë se njëri nga këta protagonistë ka qenë në përgjim.
Ngarkesa e muajit shtator, e cila sipas të dhënave jozyrtare ka kaluar nëpërmjet portit të Durrësit është magazinuar fillimisht në një objekt në Durrës dhe më pas është transportuar në banesën e një të riu në fshatin Qerekë të Niklës. Aty janë sjellë edhe “mjeshtrit” latinë, të cilët kishin për detyrë të ndanin lëndën narkotike nga pjesa tjetër e ngarkesës. Por SPAK, në operacionin e kryer të premten, ushtroi kontrolle të shumta në disa zona, banesa dhe vila duke u ndaluar edhe në rezidencën e “Kodrës së Diellit”. Aty pretendohet se është edhe banesa e njërit prej protagonistëve, ku agjentët operacionalë sekuestruan një sasi lëndë narkotike. Sasi tjetër u sekuestrua në Durrës, në një objekt afër portit, ndërsa ka dyshime për objekte të tjera që menaxhohen prej grupit kriminal.
Kamuflimi
Sipas të dhënave të Prokurorisë së Posaçme, bëhet me dije se janë 850 lëkura të kriposura të gjedhit në të cilat është e fshehur kokainë. Hetuesit shqiptarë në bashkëpunim me partnerët e huaj, e dinin shumë mirë se ishin ngarkuar në kontejnerë në vende të Amerikës Latine dhe do të vinin në rrugë detare në portin e Durrësit. Dyshohet se të dy ngarkesat kanë qenë 48 tonë, ku ende nuk dihet se sa është sasia e lëndës dhe sa pjesa tjetër e ngarkesës.
Sipas SPAK, njëra ngarkesë hyri në shtator dhe tjetra në nëntor, që janë vëzhguar nga SPAK dhe janë lënë të veprojnë të lira deri në itinerarin e fundit, për t’i dhënë goditjen finale grupit të drogës, me 10 arrestime në total. Për grupin hetimor, 4 nga 7 shqiptarët e arrestuar janë kryesorët e grupit, organizatorë dhe financues të rrjetit kriminal të trafikut të kokainës drejt Shqipërisë dhe më tej shitjen e saj në tregjet e vendeve europiane. Referuar të dhënave të pakta që ka bërë me dije Prokuroria, mësohet se rolin kryesor dyshohet ta ketë Geis Sejfullai, 42 vjeç. Vila në rezidencën e banimit “Kodra e Diellit 2” në Tiranë, që shërbente si bazë e grupit, dyshohet të jetë e tij, në pronësi apo e marrë me qira, SPAK ende po e heton këtë fakt pasi nuk dihet saktësisht. Aty, dhe në një tjetër ambient mbështetës të këtij grupi, pranë portit të Durrësit, u gjetën në total 6.1 kg kokainë. Sejfullai mësohet se është një person me profil të lartë publik, ndërkohë që prokurorët vijojnë të hetojnë lidhjet mes personazheve të këtij grupi për të shkuar tek furnitorët dhe bashkëpunëtorët.
Laboratori dhe personazhet
SPAK ka pasur informacion të saktë në lidhje me vendndodhjen e ndërtesës që shërbente për punimin e mallit. Sipas të dhënave, banesa e shndërruar në laborator ku 3 kimistë të huaj nga Kolumbia e Venezuela ndanin drogën nga lëkura, dyshohet të jetë në pronësi Endi Sejdini, vetëm 25 vjeç, e pozicionuar në pikë strategjike, pranë aeroportit të Rinasit, në fshatin Qerekë. Klajdi Birçe 30 vjeç dhe Artion Çaushllari, 37- vjeçar një personazh që ka ushtruar edhe funksione publike, po ashtu sipas SPAK janë në mesin e organizatorëve dhe financuesve.
Ndërsa 37-vjeçari Aldi Zonja, Ismail Abdurrahmanaj 51 vjeç nga Shkodra dhe Baki Huqi 57 nga Durrësi, i dënuar për dy vrasje në ’97 dhe 2013-ën, kishin role dytësore në shërbim të aktivitetit kriminal. Ngarkesat me drogë që vinin fshehur në lëkurat e bagëtive, sipas burimeve nga SPAK, nuk janë nisur vetëm nga vende të Amerikës Latine, si Kolumbia, Venezuela apo Ekuadori, me të cilat bandat shqiptare kanë një marrëdhënie të gjatë trafiku, por edhe nga Republika Domenikane dhe Brazili. Jo më kot kreu i SPAK, Altin Dumani dhe prokurori tjetër, Adnan Xholi që po hetojnë grupin, qëndruan 1 javë në Brazil së fundmi, ku deklaruan se do të çmontonin rrjetet e trafikut të drogës. Tranzit dyshohet të jenë përdorur portet italiane për të mbërritur në brigjet shqiptare, megjithatë itinerari i plotë është ende duke u hetuar.
Bashkëpunimi me agjencitë e huaja
Prokuroria e Posaçme po punon me agjenci partnere të zbatimit të ligjit, për subjekte të tjera që mund të jenë përfshirë në këtë aktivitet dhe kryesisht shqiptarë që kanë luajtur rol domethënës për të siguruar kokainën në Amerikën Latine apo kanë koordinuar veprimet atje. Burime nga SPAK thonë se Aldi Zonja, i arrestuar, gjatë kohës së pandemisë pati një qëndrim të gjatë në Amerikën Latine, ku shkoi për vizitë turistike dhe qëndroi i izoluar edhe nga bllokimi i fluturimeve.
Njoftimi i plotë i SPAK:
Prokuroria e Posaçme njofton se në kuadër të procedimit penal nr. 141/1 të vitit 2023 ka zbardhur një rrjet ndërkombëtar të trafikimit të lëndës narkotike të llojit “kokainë” nga vendet e Amerikës Latine, e kontaminuar dhe më pas e përpunuar dhe trafikuar në Shqipëri dhe në tregun evropian.
Ky hetim deri tani ka çuar në arrestimin e shtatë shtetasve shqiptarë dhe tre shtetasve nga Amerika Latine si dhe në zbulimin dhe sekuestrimin e një laboratori të sofistikuar për përpunimin e kokainës, i vendosur në fshatin Qerekë, Fushë Krujë. Po ashtu, janë identifikuar ambiente ndihmëse në Tiranë dhe Durrës. Janë sekuestruar gjithashtu sasi të konsiderueshme materiali të papërpunuara ku dyshohet se është përzier dhe fshehur lëndë narkotike, sasi kokaine, përzierës kimikë, objekte të specializuara për fshehjen e drogës, pajisje laboratorike, shuma parash dhe mjete transporti të përdorura për veprimtarinë kriminale.
Ky hetim intensiv, i zhvilluar për më shumë se një vit, është udhëhequr tërësisht nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme dhe hetuesit e BKH-së, të cilët kanë përdorur një gamë të gjerë të teknikave të posaçme të hetimit. Bashkëpunimi i ngushtë me agjencitë ligjzbatuese vendase dhe të huaja ka qenë kyç për avancimin e këtij operacioni të rëndësishëm kundër trafikut ndërkombëtar të drogës.
Të arrestuarit janë:
Shtetas shqiptar:
Geis Sejfullai 42 vjeç, banues në Tiranë
2- Klajdi Birçe 40 vjeç, banues në Tiranë
3- Artion Çaushllari, 37 vjeç, banues në Tiranë
4- Endi Sejdini, 25 vjeç, banues në Krujë
5- Aldi Zonja 37 vjeç, banues në Tiranë
6- Ismail Abdurrahmani, 51 vjeç, banues në Shkodër
7 – Baki Huqi, 57 vjeç, banues në Durrës
Shtetas të huaj:
Hiwlen Ledezma Narvaez, 41 vjeç, shtetas kolumbian
2- Joze Ramon Zacarias Vasquez, 35 vjeç, shtetas venezuelian
3- Samuel Alfonso Moreno Serrano, 42 vjeç, shtetas venezuelian
Provat e sekuestruara përfshijnë:
Material të papërpunuar prej 48 tonësh (rreth 850 lëkurë gjedhi) ku dyshohet se fshihet lëndë narkotike, të importuara nga Amerika Latine në shtator dhe nëntor 2024;
6.1 kg lëndë narkotike e dyshuar si kokainë;
36,270 euro, 357,046 lekë të reja dhe 57 milionë peso kolumbiane (afërsisht 12, 200 euro);
89.5 kg përzierës të ngurtë dhe 50 kg solucion të lëngshëm për përgatitjen e kokainës;
Pajisje për ngritjen e laboratorëve, si presa, axheton, epruveta qelqi, preparate kimike, mikrovalë, qese paketimi, dhe llampa nxehtësie;
22 telefona celularë, 2 laptopë, 7 karta banke dhe 17 karta SIM;
3 automjete të markave të ndryshme dhe dokumente të tjera të rëndësishme.
Tipologjia e grupit kriminal
Nga të dhënat hetimore, rezulton se ky grup vepron si një rrjet ndërkombëtar kriminal, duke bashkëpunuar me organizata kriminale në Amerikën Latine për të trafikuar kokainën drejt Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Në vend, ata përdornin një laborator dhe ambiente ndihmese për ekstraktimin e drogës nga “lëkurë gjedhi të kriposur”, përpunimin e saj përpara se ajo të trafikohej në tregjet e destinuara. Struktura e grupit përfshinte shtetas nga disa qytete të vendit, role të mirë përcaktuara, duke përfshirë financues, transportues, përpunues, dhe shpërndarës.
Ky rrjet shfaqte një bashkëpunim efikas mes ekspertëve të huaj me përvojë dhe elementëve lokalë të mirë-organizuar, duke krijuar një mekanizëm funksional dhe shumëdimensional të aktivitetit kriminal.
Një nga aspektet më të veçanta të këtij rrjeti ishte përfshirja e ekspertëve nga Amerika Latine. Kolumbianët dhe venezuelianët, të njohur për ekspertizën e tyre të thelluar në trajtimin dhe përpunimin e kokainës, ishin “ekspertët” që garantonin suksesin teknik të operacionit. Aftësia e tyre për të ekstraktuar kokainën nga materiale organike, si “lëkurat e bagëtive” e kthente drogën e papërpunuar në një produkt të gatshëm, të cilësisë së lartë, për tregun shqiptar dhe atë evropian. Ky bashkëpunim tregon jo vetëm përmasën ndërkombëtare të grupit, por edhe synimet e tij për të operuar në nivele të larta të organizimit dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar në përpunimin e drogës.
Laboratori i ngritur në Qerekë të Fushë Krujës dhe ambientet ndihmëse në Tiranë dhe Durrës, ishin vendosur në pika strategjike të infrastrukturës kombëtare. Pranë aeroportit më të madh të vendit, dhe portit të Durrësit, këto zona vështirësonin monitorimin nga ajri prej agjencive ligjzbatuese, dhe nga ana tjetër lehtësonin transportin e shpejtë të drogës dhe përzierësve kimike, duke siguruar një qasje të shpejtë në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Përzgjedhja e këtyre lokacioneve tregon qartazi një planifikim të kujdesshëm, ku distanca e afërt me nyjet kryesore të logjistikës kombëtare ishte një faktor kyç për funksionimin pa ndërprerje të këtij rrjeti kriminal.
Rrjeti operonte në mënyrë të sinkronizuar, me çdo hallkë të përcaktuar në mënyrë të detajuar. Ekspertët e huaj përqendroheshin në proceset teknike të përpunimit, duke shfrytëzuar aftësitë e tyre për të ngritur laboratorë të përpunimit të drogës. Ndërkohë, financuesit shqiptarë siguronin investimet, pajisjet dhe përbërësit kimikë. Transportuesit dhe përpunuesit lokalë luanin rolin e tyre për të siguruar lëvizjen e sigurt të drogës dhe pajisjeve, ndërsa shpërndarësit kishin detyrën për ta futur drogën në tregjet e destinuara.
Shuma e madhe e parave e vënë në dispozicion të financimit të këtij aktiviteti, pajisjet teknologjike dhe mjetet e përpunimit të drogës tregojnë për nivelin e lartë të organizimit dhe burimeve financiare të këtij grupi kriminal.
Në analizën e brendshme të deritanishme të këtij hetimi, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, e konsideron atë si një moment kyç në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri:
“Ky hetim është dëshmi e qartë se SPAK është i përkushtuar për të ndjekur dhe goditur rrjetet kriminale që kërcënojnë sigurinë dhe drejtësinë në vendin tonë. Suksesi i deritanishëm i këtij procedimi penal tregon se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ekspertiza e brendshme janë çelësi për rezultate konkrete.”
Ndërkohë, prokurori i çështjes, Adnan Xholi, theksoi rëndësinë e përdorimit të mjeteve të posaçme të hetimit në zbardhjen e këtij rrjeti:
“Ky hetim na ka treguar një model të ri dhe kompleks të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku ekspertiza e huaj kombinohet me elementët lokalë për të ngritur një sistem të integruar kriminal. Goditja e këtij rrjeti është një sinjal i fortë për të gjithë ata që mendojnë se mund të operojnë të pandëshkuar.”
Një falënderim i veçantë shkon për partnerët tanë vendas dhe të huaj, Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe Drejtorinë e Policisë së Shtetit për profesionalizmin e treguar gjatë fazës së arrestimit në flagrancë, sekuestrimin e provave materiale dhe produkteve të aktivitetit kriminal. /panorama