UEFA ka paralajmëruar për herët të fundit Serbinë dhe tifozët e saj, se nëse do të ketë ngjarje dhune apo thirrje politike, do të përjashtohet nga Liga e Kombeve. Shkak janë bërë sjelljet e dhunshme dhe provokimet në tribuna gjatë transfertës ndaj Zvicrës. Paralajmërimi është dhënë nga vetë federata vendase dhe është bërë publik sot dhe në mediat serbe.
“Federata e Futbollit të Serbisë njofton edhe një herë të gjithë ata që do të vijnë në stadiumin “Duboçica” në Leskovc për të ndjekur ndeshjen Serbi – Danimarkë, që t’i kushtojnë vëmendje masave të sigurisë të shënuara në këtë njoftim.
Dihet se Federata e Futbollit të Serbisë është nën monitorim të posaçëm nga UEFA dhe për këtë arsye është e rëndësishme të kujtojmë se përdorimi i mjeteve piroteknike, si dhe çdo formë e provokimit dhe sjelljes së papërshtatshme, janë të rregulluara rreptësisht me ligj” – thuhet ndër të tjera në deklaratën e federatës serbe.
Sonte në mbrëmje në orën 20:45 në stadiumin e Leskovcit luhet ndeshja ndërmjet Serbisë dhe Danimarkës. Fitorja e çon Serbinë në vendin e dytë, por sigurisht shumë do të varet dhe nga ajo që do të ndodhë në tribuna. /Rozalb Lika-Koha Jonë/