
Në Qarkun e Tiranës janë numëruar deri tani 1121 nga 1282 kuti votimi, duke dhënë një pamje të qartë të rezultatit zgjedhor në qarkun më të madh të vendit.
Partia Socialiste kryeson bindshëm me 177.831 vota, që përbëjnë 47.62%, duke siguruar 19 mandate, një më shumë se në zgjedhjet e kaluara.
Koalicioni opozitar PD-ASHM ndjek me 132.003 vota ose 35.35%, me një diferencë prej rreth 47 mijë votash krahasuar me PS-në.
Forca e tretë politike në këtë qark është partia “Mundësia” e Agron Shehajt me 18.463 vota (4.94%), pasuar nga PSD me 3.49% dhe Nisma “Shqipëria Bëhet” me 3.04%, të dyja me nga një mandat.
Koalicioni Euroatlantik, megjithëse ka marrë 1.90%, nuk arrin të sigurojë përfaqësim në Kuvend.