
Tiranë, 21 janar 2026 – Në përkujtimin e 15-vjetorit të ngjarjeve të 21 Janarit 2011, kryeministri Edi Rama ka hedhur akuza të forta ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e cilësuar vrasjen e katër protestuesve para Kryeministrisë si një “krim shtetëror” dhe një mesazh të qëllimshëm frikësimi ndaj qytetarëve.
Në ceremoninë përkujtimore, Rama deklaroi se protestuesit nuk tentuan në asnjë moment të hynin në godinën e Kryeministrisë dhe se nuk kishte prova për praninë e armëve mes tyre. Sipas tij, të shtënat ndodhën në momentin kur turma po shpërndahej, duke marrë jetën e katër qytetarëve.
“Kur protestuesit po largoheshin, tytat e pushkëve u ulën mbi turmën, duke marrë katër jetë. Ishte pasojë fatale e një mendjeje kriminale, që me gjasë nuk deshi ta humbiste rastin për t’u treguar kundërshtarëve politikë dhe shqiptarëve se të vret me të vërtetë”, u shpreh Rama.
Kryeministri foli edhe për hapjen e një dere nga brenda godinës së Kryeministrisë gjatë protestës, të cilën e cilësoi si “ftesë në një kurth”, ndërsa theksoi se askush nga protestuesit nuk tentoi të shkelte perimetrin e sigurisë.
Duke u ndalur te mungesa e drejtësisë për ngjarjen e 21 Janarit, Rama tha se kanë kaluar 15 vite pa një vendimmarrje përfundimtare, pavarësisht edhe vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ai kritikoi gjithashtu institucionet e drejtësisë, përfshirë SPAK-un, për mosndjekjen penale të përgjegjësve.
“Pesëmbëdhjetë vite pa drejtësi për 21 Janarin janë pesëmbëdhjetë vite padrejtësie për gjithë Shqipërinë”, tha Rama, duke shtuar se heshtja institucionale mbetet e pashpjegueshme.
Ngjarja e 21 Janarit 2011, ku humbën jetën katër protestues gjatë një demonstrate të opozitës së asaj kohe, vijon të mbetet një nga episodet më të rënda dhe më të debatueshme të historisë politike shqiptare.



