Ndërkaq, në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Deçan dhe Gjilan thonë për Kosovapress se nuk kanë asnjë dozë të serumit kundër helm në rastet e kafshimit nga gjarpri, ndaj pacientët i dërgojnë për trajtim në spitalet rajonale.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) në një përgjigje me email për KosovaPress ka bërë të ditur se posedojnë sasi të mjaftueshme të serumit në rastet e kafshimit të gjarpërinjve. Sipas IKSHPK-së çdo QKMF që ka bërë kërkesë është furnizuar me serume.
“Në IKSHPK ka serume të mjaftueshme, të cilat përdoren në rastet e kafshimit të gjarpërinjve. Barnatorja qendrore e SHSKUK-së/QKUK është e furnizuar me serume, si dhe çdo QKMF që ka bërë kërkesë për furnizime me serume, është e furnizuar. IKSHPK ka sasi të mjaftueshme të serumeve për të mbuluar vitin 2024 si dhe ka bërë kërkesë për të mbuluar edhe nevojat për vitin 2025”, thekson IKSHPK.
Para pak ditësh, IKSHPK-ja ka treguar simptomat pas kafshimit të gjarprit dhe jep rekomandime se si duhet të veprohet. Ky institut ka bërë të ditur se në Kosovë jetojnë katër lloje të gjarpërinjve, e ndër ta edhe lloji helmues Vipera ammodytes (gjarpri i gurit, nepërka).