Pas një seance maratonë në Kuvend që nisi në orën 10 të mëngjesit dhe u mbyll rreth orës 12 pas mesnate, shumica dhe opozita bashkuan votat mes tyre për votimin në parim të draftit të ardhur nga qeveria dhe ka miratuar anulimin e gjobave për ndërtimet pa leje të marra nga qytetarët prej vitit 2014.
Gjithashtu amnistohen gjobat për shkeljen e rregullave në pandemi dhe të AKU për subjektet bujqësore e blegtorale në fshat, në këtë periudhë.
Projektligji “Për anulimin e masave administrative” u miratua me 73 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim në fund të një seance maratonë që nisi në orën 10:00 të 19 dhjetorit dhe përfundoi në mesnatë.
Cilat gjoba do të anulohen?
Anulohen të gjitha masat administrative të paekzekutuara, të vendosura nga data 1 janar 2015 deri më 30 nëntor 2024. Përfitues janë ata që janë gjobitur për ndërtim të paligjshëm për strehim individual, në qytet ose në fshat nga IMT, IKMT, Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Kush do të përfitojë?
Të gjitha subjektet të cilët kanë bërë ndërtime dhe ndërhyrje në shtëpi banimi në zonat rurale, ndërtime dhe ndërhyrje në objekte ku kryhen veprimtari të prodhimit, magazinimit, përpunimit, ruajtjes dhe tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, mbajtjes të mjeteve të punës e inputeve bujqësore dhe blegtorale.Të gjitha subjektet që merren me aktivitetin e prodhimit, përpunimit, ruajtjes, tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale në zonat ruraleTë gjithë individët dhe subjektet në territorin e Republikës së Shqipërisë që nuk kanë zbatuar rregullat e vendosura për administrimin e situatës Covid-19 gjatë periudhës së pandemisë
Ndër të tjera ditën e djeshme në kuvend u miratua edhe projekligji ku parashikohen disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”. Ky projektligj u miratua me 71 vota pro dhe 7 kundër.
Më poshtë mund të lexoni projektligjet e miratuara:
Me 79 vota pro Kuvendi Akti normativ nr. 4, datë 27.11.2024 “Për një shtesë në ligjin nr. 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar. Përmes këtij Akti Normativ u bë e mundur rikthimi i kësteve të parapaguara nga profesionistët e lirë për tatimin mbi fitimin.
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër të huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Laboratorët inteligjentë (Smart Labs) – digjitalizimi i sistemit arsimor shqiptar””, u miratua me 73 vota pro.
Projektligji “Për ratifikimin e Konventës për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve Gjyqësore të Huaja në Çështjet Civile ose Tregtare” u miratua me 81 vota pro.
Ndërsa projektligji “Për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për veprat penale që lidhen me pasurinë kulturore, bërë në Nikosia më 19.5.2017” u miratua me 78 vota pro.
Projektligji “Për mbrojtjen e të dhënave personale” u miratua me 74 vota pro dhe 1 abstenim.
Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit Rezervist në Republikën e Shqipërisë” u miratua me 74 vota pro dhe 6 abstenime.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10 091, datë 5.3.2009, “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar””, i ndryshuar u miratua me 72 vota pro dhe 6 kundër.
Projektligji “Për anulimin e masave administrative” u miratua me 73 vota pro. Amendamentet e propozuara nga opozita për anulimin e të gjitha gjobave për mos pagesen e energjisë dhe ujit gjithashtu, amendamente që u rrëzuan nga mazhoranca.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7975, datë 26.7.1995, “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, i ndryshuar me 71 vota pro dhe 7 kundër.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” u miratua me 73 vota pro dhe 6 kundër.
Projektvendimi “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 92/2017 “Për miratimin e strukturës organizative, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”, i ndryshuar, me 72 vota pro.
Projektvendimi “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Hartimin e Reformës “Pakti për fëmijët””, u rrëzua me 67 vota kundër, 2 pro dhe 4 abstenime.