Për herë të parë këtë vit mijëra shqiptarë patën detyrimin që të deklaronin të ardhurat e tyre, nëpërmjet formularit të të ardhurave vjetore.

Afati i fundit ligjor ishte muaji mars. Sipas të dhënave zyrtare deri në fund të këtij afati numri i deklaratave të dorëzuara arriti në 124 mijë.

Ndërkohë që pritshmëritë e administratës tatimore ishin për rreth 140 mijë shqiptarë të dypunësuar dhe me të ardhura vjetore nën 1.2 milion lekë në vit bruto.

Kjo shifër është gati dy fish më e lartë se viti 2023.

Sipas të dhënave nga tatimet kjo shifër vijon të jetë dinamike pasi ka ende individë që edhe përtej afatit zyrtar dorëzojnë deklaratat.

Tashmë administrata tatimore ka nisur fazën e dytë, që është verifikimi i saktësisë së të dhënave të deklaruara.

Nëse me kryqëzimin e të dhënave ka pasaktësi të deklaratës dhe individi është subjekt i tatimit, ai do t’i nënshtrohet pagesës së detyrimeve të lindura.

Ky proces po nis me verifikimin e 400 shqiptarëve të parë, që janë posedues të një mjeti luksoz.

Më herët tatimet njoftuan për nisjen e verifikimit për poseduesit e këtyre mjeteve, pasi rezulton se këta individë nuk kanë dorëzuar deklaratën vjetore të të ardhurave./vizionplus.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu