
“1 akuzë, 12 perspektiva dhe një vendim i vështirë që mund të ndryshojë gjithçka”. Kjo është ajo që qëndron në qendër të dramës “12 burra të zemëruar”, që do të vihet në skenën e Teatrin Kombëtar Eksperimental më 9 prill.
Në dramë, 12 burra, anëtarë të një jurie që nuk njihen me njëri-tjetrin, duhet të vendosin në mënyrë unanime nëse një 16-vjeçar, i cili dyshohet se ka vrarë të atin, është i pafajshëm apo fajtor. Me regji të Albert Mingës, kjo dramë vjen e interpretuar nga një kast aktorësh të mëdhenj si Alfred Trebicka, Viktor Zhusti, Niko Kanxheri, Sokol Angjeli, Neritan Liçaj, Myzafer Zifla, Lulzim Zeqja, Ligoraq Riza, Florian Agalliu, Besmir Bitraku, Donald Shehu, Doriana Çaushi, Igli Zarka.
Drama që sfidon mendjen dhe emocionin dhe ka të bëjë me tolerancën për gjykimin e ngjarjeve, pasqyron realitetin e sotëm.
Viktor Zhusti: “Këta njerëz janë krejtësisht të bindur që ky djalë është fajtor. Problemi është shumë më i rëndë dhe shumë më i nënvizuar. T’i thërrasim arsyes njerëzore!”
Alfred Trebicka: “Njerëzit duhet të jenë tolerantë dhe duhet të përdorin arsyen dhe argumentin…”
Besmir Bitraku: “Thelbi është te një mendim i mirë dhe një fjalë e lirë.”
Aktuale dhe një thirrje për reflektim, drama “12 burra të zemëruar” paraqet një pasqyrë të një realiteti gati të çartur, e cila vjen e interpretuar nga një kast i përzgjedhur aktorësh.
Regjisori Albert Minga: “E kam quajtur një dramë atipike, anormale. Personazhet nuk e njohin absolutisht asnjëherë njëri-tjetrin, flasin me numra.”
Kjo dramë riktheu në skenë pas disa vitesh edhe aktorin e njohur Niko Kanxheri.
Niko Kanxheri: “Më duket sikur është për herë të parë! Isha i trembur si një fëmijë në fillim, sepse u bënë vite që nuk kam luajtur në skenë.”
“12 burra të zemëruar” vjen premierë në skenën e Teatrin Kombëtar Eksperimental këtë të Mërkurë, duke i dhënë publikut një shije të një vërtete që secili diku më pak apo më shumë e ka përjetuar.
Drama e sallës së gjyqit që ngrihet mbi veprën e dramaturgut amerikan Reginald Rose, “gërmon” në përvojat personale, diskriminimin dhe emocionet që pengojnë sistemin e drejtësisë dhe mënyrën si arsyeja, logjika dhe dhembshuria mund të ndikojnë në proces.
Shfaqja do të ngjitet në skenë nga data 9 deri më 13 prill./euronews