
Të paktën 11 palestinezë u vranë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës mëngjesin e së dielës, sipas zyrtarëve të mbrojtjes civile dhe shëndetësisë palestineze.
Gjysmëhëna e Kuqe Palestinezë raportoi se një sulm ndaj një kampi me tenda në veri të Gazës la të paktën gjashtë viktima, ndërsa një tjetër goditje në jug të territorit shkaktoi pesë të vrarë.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) deklaruan se kishin goditur objektiva terroriste në përgjigje të shkeljeve të armëpushimit nga Hamasi, duke shtuar se militantë u neutralizuan pasi dolën nga një tunel në zonën e kontrolluar nga ushtria izraelite.
Të dyja palët kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes së brishtë të armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të paktën 600 persona janë vrarë që prej fillimit të marrëveshjes.
Sulmet e fundit vijnë ndërsa vijojnë përgatitjet për fazën e dytë të armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA. Plani parashikon krijimin e një force ndërkombëtare për sigurinë në zonat kufitare të Gazës, mbikëqyrjen e çarmatimit të Hamasit dhe rindërtimin pas luftës.
Konflikti shpërtheu pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1,200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng. Si kundërpërgjigje, Izraeli nisi një ofensivë ushtarake në Gaza, ku sipas autoriteteve lokale janë vrarë mbi 71 mijë persona.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu zhvilloi bisedime në Uashington me presidentin amerikan Donald Trump edhe për programin bërthamor të Iranit, ndërsa negociatat mes palëve pritet të vazhdojnë në ditët në vijim.



