
429 kandidatë të forcave politike do të renditen në fletën e Tiranës për zgjedhjet e 11 majit. Nga 54 parti që depozituan kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhje, 17 prej tyre zgjodhën të mos dërgonin emra për garën e pranverës.
Qytetarët e qarkut të Tiranës në 11 maj do të kenë një fletë voluminoze ku do të mund të zgjedhin mes 429 kandidatësh për deputetë. Në këtë mënyrë KQZ do të duhet të miratojë një fletë me përmasa tejet të mëdha, pasi aty do të shënohen emri dhe sigla e partive por dhe emër e mbiemër i çdo konkurrenti
Do të jenë plot 9 forca politike, përfshirë dhe koalicione që do të garojnë për 37 mandatet e kryeqytetit, 8 prej tyre do të kenë lista të plota prej 49 kandidatësh ndërkohë është vetëm koalicioni Aleanca Demokracia e Re që ka depozituar në KQZ një numër më të reduktuar prej 37 personash që kërkojnë ulësen e tyre në parlament.
Ndonëse ende nuk ka një version final të fletës së votimit, dy opsionet më të pëlqyera nga forcat politike janë ato të cilat kanë çdo të dhënë në vetëm një fletë.
Pra, së pari do të renditen partitë politike ku në një hapësirë të veçuar do të jenë emrat e 12 kandidatëve të listë të mbyllur. Ndërkaq më tej do të jenë sipas rendit alfabetik, emrat e 37 kandidatëve në garë të hapur.
Me 429 garues për deputetë, fleta e Tiranës pritet të jetë me përmasa 50 me 40 centimetër.
Qarqet që do kenë më pak kandidatë do të jenë Kukësi, Dibra dhe Gjirokastra, me rreth 36 kandidatë secila.
Nga 54 parti që depozituan kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhje, 17 prej tyre dolën jashtë lojë duke mos dërguar në KQZ emrat e kandidatëve./ora news