Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian vijon të avancojë, por sfidat mbeten të shumta. Ministrja e Shtetit dhe kryenegociatorja me BE-në, Majlinda Dhuka, deklaroi se vendi duhet të përmbushë 101 kushte për të mbyllur negociatat.

Gjatë një mbledhjeje për procesin e integrimit, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Dhuka theksoi se Shqipëria ka bërë progres të qëndrueshëm dhe pa ndërprerje në përgatitjet teknike, reformat dhe angazhimin politik.

Ajo bëri të ditur se Komisioni Europian ka dhënë një vlerësim pozitiv për Shqipërinë, ndërsa pritet që në javët në vijim të vijë edhe miratimi nga vendet anëtare të BE-së.

“Shqipëria ecën me hapa të sigurt dhe ka përmbushur 24 kushtet e ndërmjetme, që lidhen me reforma kyçe si drejtësia, siguria dhe të drejtat e njeriut,” u shpreh Dhuka.

Sipas saj, vendi ka hapur negociatat për të gjitha grup-kapitujt dhe tashmë duhet të kalojë në fazën e mbylljes së tyre, një proces që kërkon përmbushjen e kushteve të reja të vendosura nga BE.

Dhuka sqaroi se për 31 nga 33 kapitujt e negociatave janë përcaktuar gjithsej 101 kushte, të cilat Shqipëria duhet t’i plotësojë për të përmbyllur procesin.

Objektivi i qeverisë mbetet mbyllja e kapitujve deri në vitin 2027, ndërsa aspirata është që Shqipëria të përmbushë të gjitha kriteret për anëtarësim në fund të dekadës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu