
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, ka mbajtur fjalën e tij në ceremoninë zyrtare të hapjes së vitit të ri gjyqësor, me temën “Drejtësia përballë pavarësisë, përgjegjësisë dhe besimit”, duke vënë theksin te roli vendimtar i sistemit të drejtësisë në funksionimin e shtetit të së drejtës .
Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit u shpreh se drejtësia nuk është thjesht një pushtet kushtetues, por garancia që i jep kuptim shtetit në jetën e qytetarit, ndërsa theksoi se hapja e vitit gjyqësor shënon një kapitull të ri përgjegjësie për institucionet e drejtësisë dhe për besimin e publikut .
10-vjetori i reformës në drejtësi
Presidenti Begaj vuri në dukje se ky vit gjyqësor përkon me 10-vjetorin e nisjes së reformës në drejtësi, të cilën e cilësoi si reformën më të thellë institucionale në historinë e Shqipërisë, të ndërtuar mbi konsensus politik dhe me mbështetjen e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian .
Sipas tij, reforma ishte përgjigje ndaj një krize të thellë besimi dhe sot, dhjetë vite më pas, rezultatet janë të dukshme, pasi qytetarët besojnë gjithnjë e më shumë se epoka e pandëshkueshmërisë po merr fund.
Begaj theksoi se vëmendja ndaj SPAK dhe GJKKO është e justifikuar, por shtoi se edhe gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë në sistem kanë kontribuar me profesionalizëm dhe përgjegjësi në dhënien e drejtësisë .
Pavarësi po, por edhe përgjegjësi
Një mesazh kyç i Presidentit ishte se pavarësia e gjyqësorit është arritje madhore, por ajo duhet të shoqërohet domosdoshmërisht me përgjegjësi, integritet dhe llogaridhënie.
“Pavarësia nuk duhet të kthehet në vetëizolim institucional”, u shpreh Begaj, duke nënvizuar se drejtësia duhet të jetë e paanshme, efektive dhe në përputhje me standardet evropiane .
Apel për eficiencë dhe drejtësi në kohë
Presidenti ngriti shqetësimin për zvarritjet procedurale dhe vonesat në vendimmarrje, duke theksuar se “drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”. Ai kërkoi forcim të standardeve, unifikim të praktikës gjyqësore dhe rritje të eficiencës institucionale për rikthimin e besimit publik .
Begaj theksoi se dhënia e drejtësisë është jo vetëm përgjegjësi profesionale, por edhe akt i lartë shtetarie, i lidhur drejtpërdrejt me sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe procesin e integrimit evropian.
Siguria e magjistratëve
Në fjalën e tij, Presidenti përmendi edhe vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja si një kambanë alarmi për institucionet dhe shoqërinë, duke nënvizuar se siguria dhe dinjiteti i magjistratëve janë kusht për ekzistencën e shtetit të së drejtës .
Në përfundim, Presidenti Begaj u shpreh se do të vijojë të mbështesë fuqimisht pavarësinë dhe funksionalitetin e sistemit të drejtësisë, por gjithmonë në mbrojtje të interesave të qytetarëve për drejtësi të ndershme, funksionale dhe të barabartë për të gjithë .



