Një ngjarje e rënda ka tronditur Ferizajin pasditen e kësaj të hëne, ku një 59-vjeçar ka plagosur me thikë 4 këmbësorë në në rrugët “Enver Topalli”, “Halim Spahija” dhe “Ejup Statovci”.
Sipas Klan Kosova, të plagosurit janë dy djem të moshave madhore dhe 2 vajza, njëra prej tyre e moshës 10-vjeçare.
Sipas drejtorit të Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Sylës, 10-vjeçarja është në gjendje shëndetësore të qëndrueshme, ndërsa një nga 3 të plagosurit e tjerë ka gjasa që do t’i nënshtrohet operimit.
“Fëmiu 10-vjeçar është në gjendje më të rëndë. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme në Qendrën Emergjente, ndërkaq më vonë është futur në sallën e operacionit. Gjatë kohës së intervenimit dhe gati para përfundimit, gjendja është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë Syla për RTK.
“Ekipe të shumta të policisë, përfshirë, edhe Njësinë e Reagimit të Shpejtë kanë nisur kërkimin e personit të dyshuar. Pas një pune intenzive të kërkimit, rreth orës 16:40 kanë arritur që në rrugën ” Riza Matoshi” në afërsi të qendrës tregtare ” Plus Market” të arrestojnë të dyshuarin E.S ( M/K) i moshës rreth 59 vjeçar, i cili nën masa të sigurisë është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj. Hetuesit dhe krimteknikët rajonal janë duke i ekzaminuar vendet e incidentit, ndërsa është gjetur edhe një mjet i mprehtë ( thikë) me të cilën dyshohet se është përdorur në rastet e sipër përmendura”, -është shprehur zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, për mediat në Kosovë.